.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKryeministri Sunak nuk ka hequr mbrojtjen për LGBTQ+

Kryeministri Sunak nuk ka hequr mbrojtjen për LGBTQ+

Kryeministri i ri britanik nuk ka hequr mbrojtjen ligjore për personat LGBTQ+ ashtu siç pretendohet në një lajm të publikuar së fundi në rrjet. Verifikimi i “Faktoje” sqaron qëndrimet publike dhe deklaratat e mëparshme të Sunak mbi këtë çështje të diskutueshme.

———————————————–

Kryeministri britanik Rishi Sunak “i jep fund personave trans”, pretendon titulli i artikullit të portalit mast.al, publikuar në 1 nëntor online.. Artikulli pretendon se Sunak planifikon të heqë mbrojtjen ligjore për personat transgjinorë nga ‘Akti i Barazisë’ i vitit 2010. Ai i referohet gazetës britanike “The Telegraph” për të pretenduar se Sunak kishte thënë, ndër të tjera, se ishte “i vendosur t’i japim fund shplarjes së trurit, vandalizmit dhe të treguarit me gisht.”

Çështja e vetë-identifikimit gjinor është diskutuar gjerësisht në Mbretërinë e Bashkuar, dhe mbetet e kontestuar. Që një politikan, për më tepër një që sapo ka marrë mandatin, të marrë një veprim kaq të prerë për një çështje kaq kontroverse duket e dyshimtë. 

Kështu, “Faktoje” vendosi të verifikojë artikullin. Hapi i parë ishte gjetja e lajmit që i referohet portali, artikullit në “The Telegraph”.

Artikulli në fjalë është publikuar në 29 korrik 2022, kur Rishi Sunak nuk fliste në kapacitetin e kryeministrit, por atë të kandidatit për kryetar të Konservatorëve britanikë kundër Lizz Truss, garë që ai e humbi në Shtator. Kjo në vetvete është treguese. Premtimet që Sunak i bëri konservatorëve britanikë ishin domosdoshmërisht të dizenjuara për një audiencë konservatore. Në kapacitetin e kryeministrit, një rol për të cilin Sunak nuk bëri fushatë dhe nuk u votua nga publiku, politikat e tij me gjasa do të jenë më të zbutura.

 

Për më tepër, artikulli i The Telegraph nuk thotë se Rishi Sunak ka folur kundër ‘Aktit të Barazisë’. Ai thotë se Sunak “pritet të” dhe “do të” akuzojë aktivistët e majtë për “shpëlarje truri, vandalizmi dhe të treguari me gisht” në një takim me konservatorët e Sussex.

Artikulli i The Telegraph përdor foljet “do të akuzojë”, “pritet të thotë”, “do të insistojë”, dhe “do të shtojë”

A u realizuan parashikimet e The Telegraph? Nëse po, asnjë media, duke përfshirë dhe vetë gazetën britanike, nuk raportoi mbi të. 

Sa i përket pozicionit të Sunak mbi personat trans, pyetur nga Organizata e Konservatorëve LGBT në 15 korrik të këtij viti, Sunak është shprehur: “Unë dua qe ky të jetë vendi më i sigurt dhe i mirë në botë për personat LGBT+.”

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img