INVA HASANALIAJ
Organizata Botërore e Shëndetësisë bën thirrje për kryerjen e sa më shumë testimeve për të identifikuar të prekurit nga koronavirusi në mënyrë që të arrihet identifikimi i të prekurve nga COVID -19. Pak ditë më parë kryeministri Rama, publikoi shifrat e shteteve të Ballkanit me numrin e testimeve në një ditë. Por kur “Faktoje” bëri një verifikim për secilin shtet, kostatoi se asnjë prej tyre nuk përputhej me atë çfarë deklaronte kryeministri. Për më tepër, të gjithë shtetet e verifikuar kishin kryer numër ,më të lartë testimesh se ato që publikoi Rama.
Deklarata e Ramës
Në datën 18 mars 2020 kryeministri Edi Rama përmes një statusi në rrjetin social Facebook informoi ndjekësit mbi të dhënat e numrit të testeve Covid-19 të cilat janë bërë sipas tij në 6 shtete të Balkanit, perfshirë edhe Shqipërinë, deri në 17 mars.
Nisur nga të dhënat e shfaqura në këtë grafik, “Faktoje” bëri një verifikim për vërtetësinë e tyre.
Fillimisht ne krahasuam shifrat në grafik me ato të komunikuara zyrtarisht në Kroaci. Në datën 17 mars 2020 ministri kroat i Shëndetësisë përmes një deklarate për shtyp midis të tjerave kishte thënë se numri i testeve të kryera deri atë ditë ishte 1014 dhe jo 880 siç pretendon kryeministri Rama, përmes grafikut të mësipërm.
Pas Kroacisë ne kontrolluam Serbinë përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe në këtë rast shifrat e testeve të kryera ishin më të larta. Sipas këtij institucioni deri në 17 mars 2020 ishin kryer 374 teste jo 316.
Bosnja dhe Hercegovina ishte shteti i radhës për të cilin ne bëmë verifikimet për numrin e të testuarve për COVID-19. Edhe në këtë rast shifrat e kryeministrit nuk korrespondonin, sepse sipas Institutit të Shëndetit Publik në Bosnje dhe Hercegonivë deri në datën 17 mars ishin testuar 353 individë jo 257.
Të dhënat nga faqja zyrtare e Institutit të Shëndetit Publik
Verifikimin tonë e vazhduam me Kosovën, por edhe në këtë rast të dhënat e raportuara nga autoritet e vendit ishin 284 dhe jo 272 sa ç’raporton kryeministri Rama.
Vendi I fundit që verifikuam ishte Mali I Zi ku sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik të këtij vendi, numri i personave të testuar ishte 104 dhe jo 44 sikurse kryeministri Rama publikoi.
Ndërkohë edhe në vende të tjera të botës numri i personave të testuar është i lartë dhe këtë e tregojnë shifrat e publikuara nga OurWordinData.org .
Numri I testeve të kryera sipas vendeve
Nisur nga verifikimi që “Faktoje” bëri mbi deklaratën e kryeministrit Rama, vendosëm ta kategorizojmë të pavërtetë.