.

.

BallinaFaktometerPa kategoriKryeministri Rama "demonstroi" si shkelen rregullat e saposhpallura nga Komiteti i Ekspertëve

Kryeministri Rama “demonstroi” si shkelen rregullat e saposhpallura nga Komiteti i Ekspertëve

Shtimi i rasteve të infektuara me COVID-19 që dëshmohet nga raportimet ditore, detyroi Komitetin Teknik të Ekspertëve të shtojë masat kufizuese. Pak minuta pas shpalljes së këtyre rregullave, ku bën pjesë ndalimi i grumbullimit të më shumë se 10 personave, kryeministri Rama “promovoi” dy aktivitete në shkelje të këtyre masave. Për ironi, takimet masive u transmetuan në të njëjtin kanal komunikimi ku kryeministri përcolli edhe konferencën e Komitetit të Ekspertëve.


Më 17 nëntor 2020, Komiteti Teknik i Ekspertëve, përmes drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, zonjës Albana Fico, lajmëroi shtimin e masave të reja të intensitetit mesatar për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra, kemi vendosur:

Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura

Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.

Të ndalohen konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë.” – u shpreh zonja Fico.

Ashtu siç është bërë tashmë zakon, kjo konferencë u transmetua fillimisht në llogarinë e Facebook-ut të kryeministrit Rama. Pak minuta pas kësaj konference, u transmetuan live dy takime të zotit Rama në Shijak, gjatë inspektimit për procesin e rindërtimit.

Në Shijak, ai pa riparimin e pallateve të dëmtuar në shkallën DS1-DS3, ndërsa në Xhafzotaj inspektoi rindërtimin e shtëpive të reja individuale.

Përtej përcjelljes së të rejave nga aktivitetet e kryeministrit, ajo që “Faktoje” vuri re ishte shkelja e menjëhershme e njërit prej rregullave që vetë Komiteti i tij Teknik i Ekspertëve kishte shpallur.

Në sheshpushimin përpara pallatit që po rikonstruktohet në Shijak, janë grumbulluar më shumë se 10 persona rreth kryeministrit, pa llogaritur këtu kameramanin/en e ERTV, si dhe ministrin Ahmetaj, pamja e të cilit i është zënë kamerës nga kryeministri.

Kryeministri Rama në Shijak, 17 nëntor 2020

Ndërsa në ambjentet e brendshme të pallatit, edhe pse numri nuk u tejkalua, kryesisht për shkak të hapësirave të ngushta që nuk e lejonin diçka të tillë, personat qëndruan shumë afër njëri-tjetrit, duke thyer rregullat e distancimit fizik pavarësisht përdorimit të maskës.

Marrë nga video e transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Rama

Marrë nga video e transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Rama

Edhe në takimin pasues, në Xhafzotaj ku ka dorëzuar çelësat e disa shtëpive individuale, pas kryeministrit bie në sy një turmë njerëzish.

Marrë nga video e transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Rama

Marrë nga video e transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Rama

Marrë nga video e transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Rama

Edhe kur nuk është tejkaluar numri prej 10 personash, sërish nuk janë respektuar rregullat e distancimit fizik, veçanërisht me persona të moshuar, të cilët janë kategoria më e rrezikuar nga koronavirusi.

Marrë nga video e transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Rama

Marrë nga video e transmetuar në Facebook-un e kryeministrit Rama

Pavarësisht se bëhet fjalë për video në formatin “Facebook Live”, nuk përjashtohet mundësia që këto pamje të jenë xhiruar më parë dhe thjesht të jenë zgjedhur për t’u transmetuar në këtë moment. Megjithatë, kjo nuk e zhbën faktin se kryeministri Rama është personi i parë që ka thyer publikisht rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, të transmetuara nga i njëti kanal komunimi përmes të cilit përcjell edhe aktivitetet e ditës.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img