Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin britanik Keir Starmer që po dëbohet nga një pub
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————-
Një video që duket se tregon kryeministrin britanik dhe kreun e laburistëve, Keir Starmer, duke u dëbuar nga një lokal po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk është regjistruar së fundmi, por është në rrjet nga prilli 2021, përpara se Starmer të zgjidhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas BBC, Starmer, në atë kohë udhëheqësi i opozitës, u dëbua nga bari The Raven në Bath nga bashkëpronari i barit, i cili “ishte i pakënaqur me reagimin e laburistëve ndaj karantinës së vendosur nga qeveria” gjatë pandemisë. Ai tha se ekonomia ishte sakrifikuar “sepse të moshuarit po vdesin”.
Starmer po vizitonte qytetin e Bath si pjesë e fushatës për zgjedhjet e majit 2021. Vizita e tij në barin The Raven ishte planifikuar me një nga bashkëpronarët, i cili i kërkoi falje laburistëve. Llogaria e barit në Twitter postoi se nuk kishte “qëllim të devijonte vizitën e Keir Starmer në Bath” dhe se pikëpamjet e personit në video janë “të tijat.”