Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka përgatitur akuza penale kundër kryeministrit britanik Keir Starmer për ndërhyrje në zgjedhje
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po nis një hetim penal kundër kryeministrit britanik Keir Starmer për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të 2024 në SHBA.
Si zakonisht, në brendinë e tij, artikulli i portalit mast.al nuk përmban asnjë provë, burim apo citat që mbështet pretendimin e mësipërm.
Në tetor 2024, fushata e Donald Trump ka akuzuar vërtet Partinë Laburiste të Starmer për “ndërhyrje të hapur të huaj” në zgjedhjet presidenciale të ShBA pasi disa vullnetarë udhëtuan për të ndihmuar fushatën e ish-zëvendës presidentes Kamala Harris.
Fushata e Trump paraqiti një ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, duke bërë thirrje për një hetim mbi atë që i quajti kontributet në dukje të paligjshme nga laburistët në fushatën e Harris.
Megjithatë, pas zgjedhjes dhe ardhjes në detyrë së Trump marrëdhëniet mes dy liderëve duket se janë ngrohur.
Në fund të janarit 2025, Trump ka folur mirë për Keir Starmer, duke e quajtur atë një “person shumë të mirë” dhe duke lavdëruar udhëheqjen e tij deri tani. Duke folur për gazetarët në Air Force One, Trump tha: “Unë mendoj se ai ka bërë një punë shumë të mirë deri më tani. Ai ka përfaqësuar vendin e tij në aspektin e filozofisë së tij. Unë mund të mos pajtohem me filozofinë e tij, por kam një marrëdhënie shumë të mirë me të.”
Trump tha gjithashtu se planifikonte të fliste me Starmer në telefon në 24 orët e ardhshme, duke sinjalizuar komunikimin e vazhdueshëm midis dy liderëve. “Unë mendoj se ne shkojmë mirë,” shtoi Trump, duke vënë në dukje dallimin në pikëpamjet e tyre politike. “Ai është liberal, gjë që është pak më ndryshe nga unë, por mendoj se ai është një person shumë i mirë”.
Në 26 janar 2025, Shtëpia e Bardhë botoi një përmbledhje të telefonatës së Trump dhe Starmer, gjatë së cilës “Trump shprehu ngushëllimet e tij për humbjen të vëllait të kryeministrit së fundmi dhe shprehu urimet e tij për familjen mbretërore britanike. Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu lirimin e shtetases izraelito-britanike Emily Damari nga robëria e Hamasit dhe se si të dy vendet mund të promovojnë një marrëdhënie të drejtë ekonomike dypalëshe.”