Në katër vite të punës së SPAK ku shumica e dosjeve i përket hetimit të zyrtarëve të korruptuar, kryebashkiakët rezultojnë protagonistë të abuzimit me tenderat. 6 nga 12 kryebashkiakë janë hetuar dhe një pjesë janë dënuar për shpërdorim detyre, teksa vlera e tenderave abuzivë, shkon gati 380 milionë lekë të reja. Këtu përfshihet edhe pasoja në natyrë, shkatërrim i fondit pyjor apo i rrugëve, si rasti i Fushë Arrëzit. Hetimet kanë zbuluar skema të njëjta, me fitues fiktivë të tenderave publikë, ndërsa paratë përfundojnë në duart e njerëzve të afërt të kryebashiakëve. Sipas juristëve, korrupsioni në nivel lokal është më i lehtë i identifikueshëm dhe më nepotik, çka e bën pushtetin vendor subjekt kryesor të hetimeve për korrupsion.
Ermal Vija
Në verën e 2021, pas një hetimi 1 vjeçar, Prokuroria e Posaçme kundr krimit dhe korrupsionit lëshoi urdhër arresti për kryebshkiakun e Lushnjes Fatos Tushe që e mbante këtë detyrë prej vitit 2011. Bashkë me disa vartës, Tushe u hetua për gati një vit dhe ra në rrjetën e përgjimeve të hetuesve.
Tushe u gjykua dhe u shpall fajtor nga dy shkallë të gjyqësorit për abuzim me tenderat në bashki dhe shpërdorim detyre. Te dyja këto akuza lidheshin me lejet e ndërtimit dhe menaxhimin e fondeve të Bashkisë Lushnje. Tenderi, sipas prokurorisë ishte dhënë në shkelje të rregullave duke favorizuar njërën kompani. Tenderi për rehabilitimin e një kanali vaditës kapte vlerën e 23 milionë lekëve.
Arrestimi i Tushes ishte një nga goditjet e para të Prokurorisë së Posaçme qëkur nisi punën në dhjetor 2019. Pas tij, një numër i konsiderueshëm drejtuesish të pushtetit vendor kaluan në sitën e SPAK dhe më pas një pjesë e tyre u arrestuan. Gjatë 4 viteve prokurorët kqyrën 65 referime për kryetarë dhe ish kryetarë bashkie, të dyshuar për akuzat e abuzimit me tenderat, deklarime të pasakta në formularin e dekriminalizimit, apo dyshime për shitblerje të votave (që parashikohet si krim zgjedhor).
Për 12 zyrtarë ka përfunduar hetimi dhe për vetëm 1, hetimi është pushuar.
Këto të dhëna tregojnë se në kategorinë e zyrtarëve të lartë, që SPAK ka për kompetencë të hetojë, kryebashkiakët janë më të hetuarit. Shifra konfirmohet edhe edhe nga raporti vjetor i Prokurorisë së Posaçme për vitin 2023. I njëjti tregues ishte edhe gjatë vitit 2022.
A janë kryebshkiakët zyrtarët më të korruptuar të shtetit?
Juristi Redi Ramaj ilustron me 2 argumenta treguesit përse kryebashkiakët janë zyrtarët më të hetuar nga SPAK.
“E para është se korrupsioni në nivel të pushtetit lokal është më i pafshehur, më nepotik dhe profesionalizmi i stafit është i dobët. E dyta, mbështetja politike për kryetarët e bashkive është e pakët dhe nuk mbrohen, pasi mendohet se dëmi që sjell goditja e tyre nuk ndikon në politikën qendrore”, thotë Ramaj per Faktoje.
6 nga 12 kryebashkiakët dhe ish kryebashkiakët e hetuar gjatë këtyre viteve janë akuzuar dhe një pjesë dënuar, sepse kanë abuzuar me fondet e tenderave ose kanë shkaktuar dëme në forma të treta me veprimet e tyre.
Vetëm në rastin e kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, dëmi në natyrë, pra prerja e pyjeve dhe hapja e rrugës konvertohet në vlerën e 234 milionë lekëve.
Për ish kryebashkiakun e Fushë Arrëzit hetuesit tregojnë se duke lejuar ndërtimin dhe hapjen e një segmenti të ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie dhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi.
“Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit dhe shpyllëzimin e sipërfaqes së regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz”, shkruan SPAK në sqarimin zyrtar për këtë dosje. Ish kryebashkiaku Fran Tuci është dënuar nga drejtësia për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Nga një analizë e të dhënave zyrtare të publikuara nga Prokuroria e Posaçme në vite, Faktoje llogariti se vlerat e tenderave në kundërshtim me ligjin që janë përfituar nga njerëz të afërt të kryebashkiakëve, kap shifrën e 378 551 341 milionë lekëve.
SPAK ka identifikuar përdorimin e të njëjtës skemë nga kryebashkiakë të ndryshëm për dhënien e tenderave ‘të vetëve’. Sipas kësaj skeme tenderi i jepej në mënyrë fiktive një kompanie, teksa në terren punimet kryheshin nga një subjekt tjetër. Kështu ka funksionuar sipas SPAK-ut skema në rastin e kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe.
Në formë të ngjashme janë shkaktuar dëmë në buxhet edhe në rastin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako përmes shpërdorimit të detyrës. Referuar hetimeve ai lejoi kalimin e fondeve te kompania private që fitoi tenderin për restaurimin e vijës bregdetare edhe pse ai ishte llogaritur gabim nga anëtarët e komisionit të vlerësimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit e kishte vënë në dijeni Bashkinë për këtë fakt.
SPAK thotë se vlera e tenderit u shumëfishua nga gabimi në përllogaritje, shumë e cila iu shlye e plotë kompanisë, duke shkaktuar një dëm prej 18 milionë lekësh të reja.
Edhe ish kryebashkiakja e Patosit, aktualisht e pezulluar, Rajmonda Balilaj akuzohet se ka shkelur barazinë në tendera dhe ka paracaktuar fituesit në të paktën dy raste. Tenderat llogariten në vlera nga 6.7 milionë në 8.6 milionë lekë.
Shifra më e madhe e abuzimit është ajo e tenderit të ndërtimit të ujësjellësit në Bulqizë, me fajtor sipas vendimit të gjykatës ish kryebashkiakun Lefter Alla për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, vepra për të cilat u dënua me 2 vite burg.
Sipa SPAK, Alla në bashkëpunim me vartësit favorizuan dy kompani në këtë tender, teksa punimet në terren në të vërtetë u kryen nga një kompani e tretë, me administrator një person që kishte lidhje shoqërore me kryebashkiakun.
Përgjimet e kryera gjatë hetimeve vërtetuan këtë lidhje dhe shërbyen si prova në duart e SPAK për ndikimin që ka ushtruar Alla në dhënien e këtij tenderi të preferuarit të tij. Tuci është dënuar tashmë nga drejtësia për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Eduart Kapri, ish kryebashkiaku i Progradecit vijon betejën me Prokurorinë e Posaçme, që e akuzon atë për “Shkelje të barazisë në tendera” dhe “Shpërdorim detyre”.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me disa vartës të tij, kanë dhënë në shkelje të ligjit, një tender me vlerë 9 milionë lekë për blerje të druve. Kapri ka marrë pafajësi në Gjykatën e Shkallës së Parë, por Gjykata e Apelit riktheu çështjen për hetime të tjera.
Dekriminalizimi, tjetër ‘lak’ për kryebashkiakët
Jo vetëm tenderat, por edhe dekriminalizimi dhe votat “dogjën” kryebashkiakët.
Qerim Ismailaj, ish kryebashkiaku i Mallakastrës ishte i pari që u hetua nga Prokuroria e Posaçme me dyshimet se kishte falsifikuar formuarin e dekriminalizimit.
Gjatë hetimit u administrua përmes një letërporosie konfirmimi se Isnailaj ishte dënuar në Greqi për rrahje në grup.
Pas këtij konfirmimi, me kërkesë të prokurorisë dënimi u konvertua në punë në interes publik, duke pastruar në këtë mënyrë dëshminë e penalitetit.
Ismailaj nuk u shkarkua asnjëherë për këtë arsye nga detyra e tij.
SPAK ka dërguar në gjyq për të njëjtën akuzë edhe kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Edhe ai rezulton të mos ketë deklaruar në formularin e dekriminalizimit para kandidimit si kryebashkiak, nëse është dënuar ose jo ndonjëherë me vendim të formës së prerë.
Drejtësia zbuloi se Hajdari kishte fshehur një dënim në Greqi për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është dërguar në gjyq për shit-blerje të votave, pasi u regjistrua teksa i premtonte një qytetareje se nuk do t’i ndërprisnin energjinë elektrike para zgjedhjeve.
Gjykata e Posaçme ka dënuar dy ish kryebashkiakë të tjerë, Safet Gjicin, për “Shpërdorim detyre” pas publikimit në rrjetet sociale të një video ku kryente akt seksual në zyrë dhe ish krybashkiakun Fran Frrokaj, që u gjet fajtor për shpërdorim detyre duke favorizuar tjetërsim të disa pronave në bregdetin e “Ranës së Hedhun”.
Për çështje të tjetërsimit të pronave, ndodhet i paraburgosur edhe ish kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro. Sipas SPAK ai lejoi dhe veproi në kundërshtim me ligjin për trajtimin e dy pronave në Gjilekë të Dhërmiut.
Goro akuzohet për “Shpërdorim detyre” në të paktën dy raste, në bashkëpunim me një vartës të tij.
Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme janë në verifikim 18 materiale të referuara për kryebashkiakë dhe ish kryebashkiakë për të cilat ende nuk është dalë me një vendim përfundimtar.
Përfundim
Në 4 vitet e fundit, drejtuesit e pushtetit lokal zënë vendin e parë në listën e të korruptuarve që hetohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Akuzat kryesore janë për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderat publikë me dëm qindra milionë lekë në buxhetin e shtetit dhe falsifikim të dokumentave të dekriminalizimit.
Hetimet kanë zbuluar skemë gati të njëjtë në abuzimin me tendera duke shpallur fitues fiktivë, ndërsa paratë shkojnë tek ‘rrethi shoqëror’ i kryebashkiakëve.
Korrupsioni në nivel lokal që është më lehtë i identifikueshëm dhe nepotik (krahasuar me ekzekutivin), dhe niveli i ulët i profesionalizmit në staf, shihen nga ekspertët si dy arsyet përse kryebashkiakët apo drejtuesit e këtij niveli kryesojnë listën e të hetuarve në SPAK.