Krizat kapin krizën, ligji për rezervat e naftës u premtua që para 7 vitesh

Nga bordi i transaprencës tek task forca e naftës, por çmimet në treg “fluturojnë”

24

Esmeralda Topi

Sa herë që shpërthen një krizë në tregjet globale të naftës, në Shqipëri çmimet rriten me shpejtësi, ndërsa qeveria premton ndërhyrje. 

Dy javë nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Tiranë ka prekur 199 lekë për litër. Vetëm pak ditë më parë ishte 175 lekë për litër. Një rritje me 24 lekë, ose 14 për qind, që rëndon xhepat e qytetarëve. 

Në bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës është rritur në 103 dollarë për fuçi. Një zhvillim i pritshëm në kushte pasigurie globale. Por ajo që nuk është as e re dhe as e papritur është mënyra si Shqipëria reagon ndaj kësaj krize

2022

Në mars 2022, pak javë pas nisjes së luftës në Ukrainë, Rama premtoi se Albpetrol, kompania shtetërore e naftës, do të ishte “aktori i ditëve të këqija”. 

“Ne si qeveri, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës sot angazhohet për të krijuar rezervën e vet të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija”, premtoi Rama katër vite më parë.

2026

Katër vite më vonë, në mars 2026, kryeministri premton përsëri rolin aktiv të shtetit në treg teksa reflektoi mbi krizën e fundit.

“Ne do ta krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim dhe në tregun e naftës. Shumë shpejt do të japim shembullin sesi dhe në tregun e naftës gjërat do të ndryshojnë”, tha Rama gjatë një konference për shtyp. 

Ai sqaroi se ligji i rezervave është në konsultim publik dhe parashikon një rezervë për 3 muaj.

Ne foto: Kryeministri Edi Rama me ministrat per sitiuaten e cmimeve te hidrokarbureve ne vend

Të njëjtin qëndrim Rama mbajti edhe në takimin e sotëm me furnizuesit e karburanteve në vend. 

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës Enea Karakaçi, theksoi madje se po punohej prej dy vitesh rreth drafit në fjalë. 

“Kemi 2 vjet që punojmë për ligjin e ri të rezervës së hidrokarbureve dhe tani është në fazën përmbyllëse për miratim. Projektligji i ri përmbush nevojat e BE dhe vendit. Ai parashikon krijimin e një agjencie të posaçme dhe rezerva do të mbahet nga Agjencia Shtetërore që do e depozitojë te depozitat e saj ose me qira duke pasur një rezervë 90-ditore”, tha Karakaçi.

Faktet 

Por  verifikimet e Faktojes tregojnë se ligji për rezervat strategjike, që duhet të krijonte strukturën shtetërore të ‘ditëvë të këqija’, ka shtatë vjet që fle në sirtarët e Kuvendit dhe jo dy vjet. Madje për këtë vonesë, Shqipërisë ka vite që i tërheq ‘veshin’ Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.  

“Megjithëse një projektligj i ri për Krijimin, Mbajtjen dhe Menaxhimin e Rezervave Minimale të Sigurisë së Naftës Brute dhe Produkteve të Naftës u përgatit në vitin 2018, ai nuk është miratuar” vë në dukje raporti i vitit 2025, në kapitullin dedikuar Shqipërisë. 

2019

shkurt të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hodhi për konsultim publik projektligjin për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Sipas draftit, kjo rezervë do të ishte garanci për mosparalizim të aktivitetit në vend, në rast mungese të furnizimit.

Sipas shpjegimit të bërë në projektligj, këto rezerva do të siguronin një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit të Shqipërisë me naftë si dhe do të përmbushnin detyrimet e marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare.

Sipas dokumentit, krijimi dhe mbajtja e rezervës së sigurisë do të ndahej mes industrisë dhe një enti publik, Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës. Kjo e fundit do të kishte shumicën e rezervës, me të paktën 60 ditë mesatare shitjeje, kurse kompanitë dhe rafineritë 30 ditë mesatare shitjeje. 

Agjencia (për të cilën u fol edhe sot në takimin e kryeministrit) do të duhej të funksiononte me vetëfinancim përmes një tarife që do të mblidhej në çdo një litër karburant tek rafineritë dhe shoqëritë e shumicës. Asokohe, kjo ishte pika më e debatuar nga aktorët e tregut.

Aktualisht, detyrimin ligjor të mbajtjes së rezervës së sigurisë e kanë kompanitë hidrokarbure që operojnë në treg. Vendimi i vitit 2004, përcakton se kompanitë duhet të mbajnë rezerva të importeve të tyre përkatëse vjetore për 90 ditë. 

Përfundim 

Shqipëria ende nuk ka rezervë shtetërore të sigurisë së naftës. Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës ende nuk është ngritur pasi projektligji që ligjëron ngritjen e këtij institucioni, pret prej 7 vitesh të marrë dritën jeshile. 

Kur shpërtheu lufta në Ukrainë në vitin 2022, u premtua krijimi i rezervës shtetërore dhe futja e shtetit si aktor në tregun e naftës. Sot, në 2026, premimi u riciklua. 

Instrumentet ndryshojnë emra, por jo rezultat. Dje ishte bordi i transparencës. Sot është task-forca e naftës. Megjithatë, çmimi në pompë vazhdon të rritet. Pa një rezervë strategjike, shteti nuk ka asnjë instrument real për të ndërhyrë në treg. Nuk ka stok për të hedhur në qarkullim kur çmimet rriten. Në këtë vakum politikash, kostoja kalon drejtpërdrejt tek qytetarët.