.

.

BallinaFakte dhe MjedisiKrimi mjedisor në Shqipëri, pa ndëshkim

Krimi mjedisor në Shqipëri, pa ndëshkim

MERXHAN DACI

Mali me Gropa-Bizë-Martanesh është një zonë e mbrojtur natyrore, megjithatë shpesh është kthyer në “vend të preferuar” për prerjen e drurëve. Ka patur shumë raste të tilla dhe vetëm në një prej tyre, regjistruar më 18 korrik 2019, dëmi i shkaktuar nga prerja e drurëve u llogarit në vlerën 736.000 lekë.

Shkelësi u kap në flagrancë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve Ujërave dhe Turizmit verën e vitit të kaluar dhe u gjobit, por nuk u dërgua për procedim penal.

Prerja e pyjeve përbën rreth 60% të krimeve mjedisore në Shqipëri.

Në pesë vitet e fundit, 2015-2019, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 1,153 procedime për krime mjedisore. Megjithatë, vetëm 285 persona janë dënuar.

Niveli i ulët i ndëshkueshmërisë së krimeve mjedisore, sipas ekspertëve, ka të bëjë me mungesën apo neglizhimin e monitorimit, si dhe dënimet e ulëta, sidomos për krimet që zënë pjesën më të madhe.

Krimet mjedisore më të shpeshta në Shqipëri

Raportet vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit në vend, të analizuara nga Faktoje, tregojnë se afro 60% e procedimeve të regjistruara në organet kompetente janë për prerjen e pyjeve.

Ndotja e ajrit, shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe peshkimi i paligjshëm janë ndër krimet e tjera mjedisore.

Prerja në mënyrë të paligjshme e drurëve dekorativë e frutorë në Shqipëri është në nivele të larta

Numri i procedimeve dhe çështjeve në gjykim

Gjatë pesë viteve të fundit numri i procedimeve të regjistruara si krim mjedisor ka ardhur kryesisht në rritje. Kjo, përveç vitit 2016, kur në krahasim me një vit më parë numri i procedimeve ra.

Nga 2016-2019 numri i procedimeve ka qenë gjithnjë në rritje.

Gjithsej gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare janë regjistruar 1153 procedime.

Megjithatë, nëse shohim se sa prej procedimeve kanë shkuar në gjykatë, në krahasim me procedimet e regjistruara, numri është i vogël.

Gjithsej, në 5 vite numri i procedimeve që kanë shkuar në gjykatë është 260. Pra, vetëm 22,5% e procedimeve të regjistruara kanë shkuar për gjykim.

Të pandehurit, të dërguarit në gjykatë dhe të dënuarit

Gjithsej në Shqipëri në pesëvjeçarin e fundit janë regjistruar si të pandehur për krime mjedisore 648 persona.

Nga këta të pandehur, 446 prej tyre kanë shkuar në gjykatë. Thënë ndryshe, afro 69% e numrit total të të pandehurve kanë shkuar në gjykatë.

Përgjatë 5 viteve në total për krime mjedisore janë dënuar 285 persona. Pra, 64% e atyre që kanë shkuar deri në gjykatë janë dënuar.

Pse ndëshkueshmëria është e ulët?

Ndëshkueshmëria e ulët për krimet mjedisore është pranuar disa herë nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

“Bashkitë në mënyrë të papërgjegjshme hedhin mbetjet pranë lumit. Ky është krim mjedisor, Kodi Penal e kërkon që të dënohet nga 1-7 vjet. A dënohet sot njeri? Jo. Ky krim mjedisor nuk duhet toleruar”,tha Blendi Klosi duke e marrë këtë shembull në Konferencën për Krimin Mjedisor në shkurt të këtij viti.

Xhavit Shala, pedagog i Akademisë së Sigurisë, në po të njëjtën Konferencë për Krimin Mjedisor tha se duhet të forcohet zinxhiri i institucioneve raportuese.

Të rritet forca goditëse për autorët e veprave penale. Kjo është shumë e rëndësishme, praktika e deritanishme e mosfunksionimit të zinxhirit polici-prokurori-gjykatë duhet të korrigjohet”, – tha ai.

Luan Mema, ekspert për krimin mjedisor, i tha Faktoje se një nga arsyet kryesore se pse ka ndëshkueshmëri të ulët është mungesa e provave.

Disa prej krimeve mjedisore lënë pak ose aspak gjurmë apo edhe fshihen, prandaj kjo e bën të vështirë çështjen në gjykatë”, – tha Mema.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, i ftuar në Konferencën për Krimin Mjedisor në vitin 2018 tha se mungesa e provave dhe hetimeve ka sjellë ndëshkueshmërinë e ulët.

Ky numër i vogël rastesh të denoncuara tregon se nuk ka pasur prova të mjaftueshme dhe mbi të gjitha nuk ka pasur hetime të mjaftueshme. Prandaj, ka nevojë të forcohet i tërë zinxhiri inspektorat-polici-prokurori-gjykata dhe kjo është një çështje, tek e cila duhet të përqendrohet puna e këtij grupi ndërinstitucional pune”, – tha Borchardt.

Dy vjet më pas Faktoje pyeti ambasadorin Borchardt nëse institucioni që ai përfaqëson sheh një rritje të ndëshkueshmërisë për krimet mjedisore në Shqipëri.

Në dy vjet kohë, Prezenca ka dëshmuar ndryshime të rëndësishme në aspektin legjislativ dhe institucional.

Në aspektin legjislativ, ndryshimi i Kodit Penal në tetor 2019 ka kriminalizuar shumë shkelje që dikur ishin vetëm shkelje administrative. Ndikimi mund të lexohet nga raporti vjetor i Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2019. Krimet mjedisore zënë 0.87% të krimeve totale, një rritje e vogël nga 0.79% në vitin 2018. Pra, ne shohim një rritje të krimeve të ndjekura.

Ndryshimi institucional i referohet vendimit të Këshillit të Ministrave në dhjetor 2019 për transferimin e kompetencave në lidhje me krimet mjedisore në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit Shqiptar. Kjo ka shpresa që të forcojë luftën kundër krimeve të tilla”, – tha Borchardt për Faktoje.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri shtoi se tani këto ndryshime do të duhet të pasqyrohen në rezultate. Për ta arritur këtë, sipas tij, është i rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet agjencive qeveritare, ekspertizës teknike për komunat, dhe një ndërgjegjësim i shtuar mes qytetarëve, OJQ-ve, mediave dhe akademive.

Ndryshimet në legjislacion dhe strukturat monitoruese

Në fund të vitit 2019 pati disa ndryshime në lidhje me nenet për mjedisin në Kodin Penal.

Masat ndëshkimore janë rritur, ku për disa vepra mund të bësh burg për 15-20 vjet.

Megjithatë, edhe pse prerja e pyjeve përbën rreth 60% të krimeve mjedisore në Shqipëri, masat ndëshkimore për këtë vepër penale nuk janë rritur, por kanë ngelur nga gjobë deri në 1 vit burgim.

Luan Mema, ekspert i krimit mjedisor, mendon se këto ndryshime ligjore do të ndikojnë në luftën ndaj krimit mjedisor.

Ndryshimet e reja i kanë ardhur më afër mjedisit në Shqipëri dhe mendoj se do japin një risi në këtë drejtim”, – tha Mema për Faktoje.

Sa i përket ndryshimeve në strukturat që e ndjekin krimin mjedisor, Ministria e Brendshme ka marrë kompetenca në mbrojtjen e mjedisit.

IKMT nuk do të jetë më Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por do të jetë Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit. Veprimet e IKMT do të kryhen në bashkëpunim me strukturat vendore të policisë.

IKMT do të zgjerojë fushën e veprimtarisë dhe funksioneve të tij duke pasur në kompetencë, jo vetëm mbrojtjen e territorit, por edhe mbrojtjen e mjedisit, kryesisht të ujit, tokës dhe pyjeve, me theks te pyjet. Ky ndryshim synon, sipas ministrit të Brendshëm, Lleshaj, që të rrisë fuqinë parandaluese të institucioneve në mbrojtjen e mjedisit në vend.


Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img