Një numër mediash shqipfolëse kanë përsëritur, në mënyrë jo kritike, pretendimin e Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Miloš Vučević, se Kosova ka nisur dronë drejt Serbisë më 1 nëntor. “Faktoje” rikujton se qeveria kosovare ka mohuar këto pretendime dhe raportime të tilla kontribuojnë në përhapjen e panikut tek publiku.
—————————————
Në përpjekje për të mbledhur klikime, portali ntv.al ngre alarm me titullin “Konflikti/ Kosova nis dronët drejt Serbisë.”
Artikulli raporton se Ministri i Mbrojtjes i Serbisë pretendoi më 2 nëntor se disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë”. Më vonë atë ditë, Ministria e Mbrojtjes serbe lajmëroi se ushtria serbe kishte rrëzuar një dron komercial në zonën e Kopaonikut.
Ndërkohë, siç “Faktoje” ka evidentuar dhe në raste të tjera, vetë teksti i artikullit përgënjeshtron titullin.
Krahas Vučević, artikulli citon dhe deklaratën e Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, më 1 nëntor. Në një reagim në Facebook, Metaj mohoi pretendimin e Serbisë se dronet kanë hyre në territorin serb nga Republika e Kosovës.
Prononcimi në Facebook i Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj
Për më tepër, Metaj shtoi se “çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve.”
Mediat që botojnë tituj apo artikuj sensacionalistë dhe alarmistë me qëllim mbledhjen e klikimeve kontribuojnë, dashur apo pa dashur, në këtë diskurs destabilizues.
Kështu, përdorimi i përshkruesit “konflikt” jo vetëm që alarmon dhe dizinformon, por i kryen edhe një shërbim politik interesave të shtetit serb. Njësoj edhe deklarimi i pretendimeve të qeverisë serbe si fakt, pa përfshirë në të njejtën fjali prononcimin e palës kosovare.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin