.

.

BallinaGjurmo ParanëKonvikti nr. 16 në Qytetin Studenti duhej shembur, por në të banojnë ende studentë

Konvikti nr. 16 në Qytetin Studenti duhej shembur, por në të banojnë ende studentë

Ina Allkanjari

Konvikti nr. 16 në Qytetin Studenti është një prej rezidencave studentore, e cila sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1134 datë 24.12.2020, është shpallur për rindërtim. Gjatë verifikimit të procesit të rindërtimit të rezidencave studentore Faktoje konstatoi se kjo godinë ende nuk është shembur, madje as nuk është  rikonstruktuar dhe se studentët vijojnë të jetojnë aty.

———————-

Në territorin e Bashkisë së Tiranës janë më dhjetra rezidenca studentore të përfshira në projektin e rindërtimit. Në Qytetin Studenti, sipas VKM nr. 1134 datë 24.12.2020 janë planifikuar për rindërtim 3 godina, konkretisht konvikti nr. 15, 16 dhe 18, ndërsa janë përcaktuar për rikonstruksion godinat 20-21 dhe 22-23. Në total qeveria ka akorduar fondin prej 1,608,555,182 lekë për rindërtimin/rikonstruksionin e këtyre godinave.

Një prej konvikteve të planifikuara për ndërtim është godina nr. 16, ku sipas VKM nr.1134 qeveria i ka akorduar Bashkisë Tiranë fondin prej 311,425,288 lekë pa TVSH për zbatimin e këtij vendimi.

VKM nr. 1134 datë 24.12.2020

Gjatë verifikimit të Faktojes për procesin e rindërtimit për rezidencat studentore vumë re se konvikti nr. 16, ende nuk ishte shembur dhe vijon të ketë studentë të akomoduar.

Godina nr.16 në Qytetin Studenti

Për të qartësuar arsyen se përse kjo godinë, përfshirë në listën e rezidencave studentore që duhen shembur dhe më pas për t’u rindërtuar, aktualisht akomodon studentë, iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, e cila ende nuk ka ka kthyer përgjigje.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, datë 22.10.2021

Faktoje kërkoi gjithashtu dhe në faqen e Bashkisë Tiranë për vendimin e Këshillit Bashkiak lidhur me shembjen e kësaj godine. Nga verifikimi në këtë faqe ne evidentuam vendime të këshillit bashkiak për godinat e tjera në Qytetin Studenti të planifikuara për shembje dhe rindërtim, por për konviktin nr. 16 nuk rezulton asnjë e dhënë.

Nëpërmjet një kërkese për informacion, Faktoje i kërkoi Institutit të Ndërtimit të na vendosi në dispozicion vendimin/oponencën në lidhje me godinën nr. 16 në RSU nr.1. Deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi marrë një përgjigje.

Kërkesa drejtuar Institutit të Ndërtimit, datë 22.10.2021

Në godinën 16, jeta rrjedh normalisht

Faktoje ishte pranë konviktit 16, ku foli me disa prej studentëve që janë të akomoduar aty që prej fillimit të vitit akademik.

Ata na pranuan se nuk kishin asnjë informacion që kjo godinë është planifikuar për shembje dhe më pas për rindërtim, pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Nuk e di që kjo godinë është për rindërtim, nuk na kanë thënë asgjë, nuk kemi asnjë lajmërim. Brenda dhomave nuk kam parë shenja të tërmetit, por nëse ekspertët e kanë përcaktuar për shembje dhe ndërtim nga fillimi, është e frikshme që ne jetojmë ende në një konvikt të tillë”, – tregon për Faktoje një prej studenteve të këtij konvikti, e cila nuk pranoi të identifikohej.

Godina nr.16 në Qytetin Studenti

Një tjetër studente, banore e kësaj godine tregon për Faktoje se kujdestarja e konviktit i ka komunikuar në muajin gusht se godina do të shembej, por ky vendim ishte ndryshuar me fillimit e vitit të ri akademik.

Foto brenda konviktit nr. 16 e ardhur në redaksinë e Faktoje nga studentë të kësaj godine

Foto brenda konviktit nr. 16 e ardhur në redaksinë e Faktoje nga studentë të kësaj godine

“Godina jonë duhet të ishtë shembur. Kujdestarja e konviktit i ka thënë shoqes time të dhomës që godina do shembej në gusht dhe se duhet të gjente një vend tjetër për të jetuar. Më vonë i ka thënë që godina nuk do shembej dhe se mund të regjistrohej sërish. Arsyen pse nuk u shemb nuk e dimë. Me sa di unë të paktën 5 vitet e fundit, në këtë godinë nuk është vënë dorë fare për të bërë ndonjë rregullim”, tregon studentja, e cila nuk pranoi të identifikohej.

Foto brenda konviktit nr. 16 e ardhur në redaksinë e Faktoje nga studentë të kësaj godine

Foto konvikti nr. 16 e ardhur në redaksinë e Faktoje nga studentë të kësaj godine

 Disa studentët tregojnë se ndonëse shenjat e tërmetit nuk janë të dukshme, konvikti është i amortizuar dhe kushtet paraqiten shumë të vështira për jetesë.

“Unë kam marrë informacion që kjo godinë është vendosur për rindërtim dhe kur nisi rindërtimi te disa godina të tjera në Qytetin Studenti e pyetëm kujdestaren se çfarë do të ndodhë me konviktin tonë, ajo na tha që shkresa që ky konvikt të rindërtohej është firmosur prej dy vitesh, por deri më tani s’është bërë asgjë”, tregon tjetër student, që banon në konviktin nr.16.

Godina nr.16 në Qytetin Studenti

Faktoje ju drejtuar edhe Administratës së RSU nr.1 për të marrë informacion për konviktin nr.16, por punonjës të administratës na deleguan te Bashkia Tiranë.

 

LEXO EDHE: https://faktoje.al/rindertimit-i-konvikteve-te-studenteve-asnje-gati-per-vitin-e-ri-akademik/

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img