Pretendimi: Mamografitë duhet evituar sepse shkaktojnë kancer tek gratë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————–

Një video që ka marrë mbi 3 mijë pëlqime në Instagram këshillon gratë të mos bëjnë mamografi sepse kjo procedurë shkakton kancerin në gji.

Gruaja që flet në video është Jennifer Simmons, një mjeke e cila ka themeluar gjithashtu një kompani kontrolli të gjirit, të cilën ajo e reklamon si alternativë të mamografive. Një kontroll i tillë kushton $550, dhe përdor ultratinguj me transmetim kuantitativ (QT), një metodë kontrolli për kancerin e aprovuar nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave si një ndihmës, krahas mamografisë, dhe jo si zëvendësues i mamografisë.

Fakti që Simmons mund të përfitojë nëse njerëzit mendojnë se mamografitë shkaktojnë kancer na bën që në fillim të dyshojmë mbi qëllimet dhe vërtetësinë e kësaj deklarate.

Kanceri i gjirit është një shqetësim i madh për shëndetin publik. Në Europë, kanceri i gjirit është kanceri më i diagnostikuar dhe shkaku më i zakonshëm i vdekjes nga kanceri tek gratë. Mamografitë janë një mjet i dobishëm kontrolli për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit duke qenë se ato ndihmojnë në identifikimin e problemeve të mundshme përpara se të bëhen të prekshme ose simptomatike. Ato përdorin rreze X për të ekzaminuar indin e gjirit për shenja të anomalive, të tilla si tumoret ose kalcifikimet. Fondacioni i Hulumtimit për Kancerin e Gjirit i konsideron mamografitë si “standardi i artë në zbulimin e kancerit të gjirit”.

Rrezet X janë një formë e rrezatimit jonizues. Kjo do të thotë se ekspozimi i përsëritur ndaj dozave mjaftueshëm të larta të rrezeve X mund të shkaktojë mutacione gjenetike që mund të çojnë në kancer. Megjithatë, dozat e rrezeve X të përdorura në mamografi janë të ulëta.

Shoqata Amerikane e Kancerit shpjegon se doza mesatare e rrezatimit për një mamografi vjetore është 0.4 milisievert (një sievert është një njësi e dozës së rrezatimit të marrë). Për krahasim, një person në ShBA thith një dozë prej 3 milisievert çdo vit për shkak të rrezatimit të pranishëm natyrshëm në mjedis. Kjo do të thotë se, çdo vit, një grua në ShBA është e ekspozuar ndaj një doze rrezatimi shtatë herë më të lartë se doza e përdorur në mamografi.

Është përllogaritur se një grua që i nënshtrohet mamografisë vjetore nga mosha 40 deri në 49 vjeç do të zhvillojë një kancer fatal të gjirit të shkaktuar nga rrezatimi, mesatarisht një herë në 76 mijë deri 97 mijë vjet.

Prandaj, Shoqata Amerikane e Kancerit deklaron: “të mirat e mamografisë tejkalojnë çdo dëm të mundshëm nga ekspozimi ndaj rrezatimit.” Njësoj, Instituti Kombëtar i Imazherisë Biomjekësore dhe Bioinxhinierisë së ShBA thotë: “Për shumicën e grave, të mirat e mamografive të rregullta janë më të mëdha se rreziqet që vijnë nga kjo sasi rrezatimi.”

Faktoje.al ka sjellë gjithashtu këshillat e mjekëve shqiptarë për të mirat e kontrolleve me mamografi në verifikime të mëparshme të lajmeve të pavërteta.