Pretendimi: Kjo video tregon spërkatjen me kimikate nga avioni që prodhon re gjigande

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në hapësirat konspiracioniste online po qarkullon një video që pretendohet se tregon një avion duke hedhur kimikate. Klipi i dytë i videos tregon një re gjigande, e cila pretendohet se është rezultat i spërkatjes.

Si fillim, vlen të përmendet se dy klipet që përbëjnë videon nuk kanë lidhje me njëri tjetrin. Klipi i parë, që tregon aeroplanin, është postuar fillimisht në rrjet në vitin 2017 dhe përshkrimi që e shoqëron e vendos atë në Baltimore, ShBA.

Ndërsa klipi i dytë, që tregon renë gjigande mbi det, është xhiruar në maj 2024 në detin Baltik.

Pra, sipas videos, spërkatjet nga avioni në Baltimore kanë shkaktuar formimin e një reje gjigande 7 vite më pas dhe 9 mijë km larg.

Sa i përket vazhdës që duket prapa avionit në klipin e parë, ajo është një vazhdë normale kondensimi. E goditur nga drita në një kënd specifik, kjo vazhdë e përbërë nga grimca uji merr ngjyrat e ylberit. Ky fenomen është normal, i cili vërrehet dhe fotografohet shpesh.

Kur një aeoplan fluturon në lartësi të mëdha, ka një ulje në presion atmosferik dhe temperatura e ajrit bie. Nëse ka mjaftueshëm lagështirë në ajër, avulli që formohet prapa avionit ngrin, duke formuar kristale akulli.

Efekti ylber shfaqet kur kristalet goditen në këndin e duhur nga rrezet e diellit. Kristalet sillen si një spektër që zbërthen dritën e diellit në spektrin e ngjyrave që e përbëjnë. 

E njëjta gjë ndodh nganjëherë edhe me retë, të cilat janë gjithashtu të përbëra nga avulli i ujit.