Në 2023, qeveria premtoi se nafta e zbuluar në Shpirag do të sillte një epokë të re ekonomike për Shqipërinë. Por realiteti rezultoi ndryshe: SHELL po largohet dhe Fondi Sovran mbeti një ëndërr. Testimet e gjigandit holandez në Shpirag rezultuan zhgënjyese.
Esmeralda Topi
Verën e vitit 2023, kryeministri Edi Rama në krah të ministres së energjisë Belinda Balluku, lajmëroi shqiptarët se gjigandi holandez SHELL kishte zbuluar naftë të cilësisë së lartë në Shpirag.
“Nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite” – deklaroi kryeministri asokohe.
Rama dhe Balluku thanë gjithashtu se qeveria kishte nisur punën për krijimin e një Fondi Sovran sipas modelit norvegjez.
“Përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do të impaktojë pensionet, do të impaktojë bilancin e pagesave të Republikës së Shqipërisë padiskutim, do të impaktojë, nuk diskutohet, sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë dhe do të impaktojë mirëqenien e fëmijëve tanë në radhë të parë sepse ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj.”, premtonte kryeministri Rama.
Por deklarata të tilla, ekspertët e fushës, i cilësojnë të tepruara.
“Fondi sovran ide e mirë, por i tepruar. Në atë fazë që ishte projekti nuk mund të bësh të tilla parashikime. Shpiragu është një projekt i vështirë nga shumë pikëpamje. Nga ajo teknike, është shumë i shtrenjtë sepse është thellë dhe shumë i komplikuar sepse gjeologjia është e atillë. Shkëmbi është i tillë që nuk t’i japin parametrat optimal për një vendburim i cili do të na çonte tek fondi sovran.”, argumenton Kastriot Bejtaj, inxhinier me eksperiencë më shumë se 35 vjeçare në aktivitetin e hidrokarbureve në Shqipëri.
Gushti i 2023 nuk ishte hera e parë dhe as e fundit që Rama dhe Balluku të flisnin për zbulime të rëndësishme nafte dhe gazi nga kompania SHELL në Shqipëri. Prej vitit 2013, Rama është nxituar të bëjë deklarata të bujshme në emër të kompanisë. Nga ana tjetër, njoftimi i vetëm zyrtar nga ana e SHELL mbi ecurinë e testimeve në Shpirag daton më 23 maj të 2019.
‘Testimet e para të Shell Upstream Albania B.V. (Shell) në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë.’– shkruhej në njoftimin që konfirmonte potencial zbulimi të rëndësishëm të naftës në afërsi të Beratit.
SHELL drejt largimit
Pak muaj pas ëndrrave me fond sovran dhe naftës së cilësisë premium, mediat raportuan se testet paraprake të kompanisë në Shpirag kishin rezultuar zhgënjyese. Po ashtu edhe verifikimet në terren konfirmonin se veprimtaria kërkimore e naftës dhe gazit në Shpirag kishte ndaluar.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/image.jpeg)
Megjithatë, qeveria vijonte propogandën mbi Shpiragun- nga naftë e cilësisë së Arabisë, tek ajo e Teksasit.
“Cilësia e asaj nafte tashmë e analizuar nga ekspertët e SHELL është e njëjtë me brendin e Arabisë Saudite dhe atij të Teksasit që janë dy cilësitë më të larta në industrinë nxjerrëse sërish për shkak të komplikacioneve që kemi pasur atje me gjeologjinë shtytëse të malit të Shpiragut rezultatet janë vonuar.”, pretendonte Balluku gjatë raportimit të buxhetit 2025.
Ndonëse SHELL vijon të mos ndajë komente zyrtare lidhur me Shpiragun, burimet i thanë Faktoje.al se muaji mars do të vulosë largimin e kompanisë nga Shqipëria.
Edhe në pasqyrat financiare të vitit 2023 që janë publikuar këtë vit, SHELL pranon se testimet në Shpirag përfunduan me një rezultat që këshillon kundër vazhdimit të vlerësimit.
“Në fillim të vitit 2024, testet në Shpirag -5 përfunduan me një rezultat që këshillon kundër vazhdimit të vlerësimit” – shkruhet në raportin e ecurisë së veprimtarisë së SHELL.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/image-4.png)
Inxhinier Bejtaj nuk e konsideron dështim Shpiragun.
“SHELL priste që volumet për secilin pus të ishin X kur ato rezultuan 3 herë më pak.”. shpjegon ai.
“Atje është vërtetuar prezanca e hidrokarbureve. SHELL ka këtë qëndrim për këtë objekt sepse nuk përmbush pritshmëritë e standardeve të SHELL në drejtim të prodhimit të parashikuar. Mbështetur në këto tregues paraprakë, kompanisë nuk i intereson zhvillimi atje. Sepse investimi që ai bën mund t’i rikthehet për një kohë të gjatë që del jashtë skenarit të tij optimist.”, përfundon inxhinieri.
Nga ana tjetër, kompania holandeze ka vendosur të tërhiqet edhe nga një tjetër bllok kërkimesh- blloku 4 që ndodhet në jug të vendit.
“Bazuar në vlerësimin/vendimin e marrë nga drejtuesit, nuk ka synim për të vazhduar aktivitetin e tij të biznesit për një të ardhme të parashikueshme. Drejtuesit vlerëson se likuidimi i degës do të fillojë përgjatë vitit 2025”, argumentohet në pasqyrat financiare të kompanisë.”
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/image-5.png)
Çfarë ndodh pas largimit të SHELL?
Faktoje ju drejtuar Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, mbi fatin e Shpiragut pas largimit të SHELL. Por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.
Ekspertët thonë se kur SHELL të largohet, kompania duhet të dorëzojë marrëveshjen hidrokarbure dhe gjithçka ka bërë në Shpirag pranë AKBN-së.
“Sipas këtyre premisave SHELL i bie te largohet. Të largohet dhe të shtrëngojë duart me autoritetet shqiptare dhe palët të ndahen paqësisht. SHELL dorëzon marrëveshjen dhe dorëzon pranë AKBN-së gjithçka ka bërë atje. Dhe këto i merr shteti shqiptar i cili mund të rihapë përsëri garën.”, thotë inxhinier Kastriot Bejtaj.
Historia e Shell në Shqipëri nis në vitin 1994 me marrjen e blloqeve B dhe F. Shell përfundoi kërkimet sizmike, por nuk arriti të shpojë puse për shkak të shpërthimit të trazirës civile në 1997 që e detyroi kompaninë ta zgjidhte kontratën me ndarje prodhimi. Shell u rikthye në Shqipëri në shkurt të 2012 ku filloi punimet në dy blloqe ekzistuese të kërkimit në tokë, në Shpirag (Blloku 2-3) në zotërim të kompanisë Petromanas dhe mori të drejtën e shfrytëzimit të këtij Blloku në vitin 2016. Më pas, kompania nënshkroi kontratë edhe për bllokun 4 në jug të vendit.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se në Shpirag ishte zbuluar naftë e cilësisë premium, do ta kategorizojmë të pavërtetë.