Kompania Moderna nuk ka pranuar se vaksinat mARN shkaktojnë kancer. Komentet që sillen si ‘provë’ i referohen një hipoteze të paraqitur për vaksinat me teknologjinë e ADN, hipoteza jo të provuara nga studimet.

——————————————————–

Në rrjetet anti-vaksinim po qarkullon video e Dr. Robert Malone, në të cilën ai pretendon se kompania farmaceutike Moderna ka pranuar se vaksinat mARN shkaktojnë kancerin.

Video e mësipërme është shkëputur nga një dëgjesë e mbajtur më 13 nëntor 2023 nga deputetja Marjorie Taylor Greene.

Gjatë saj, Dr. Robert Malone dëgjohet të thotë:

Moderna ka një patentë mbi përdorimin e ARN për vaksinat. Kjo është patenta numër 2019-024-0317A1. Dhe në të, Moderna pranon në mënyrë eksplicite se ARN është superiore ndaj ADN për qëllime prodhimi vaksinash sepse problemet, përfshi mundësinë e mutagjenezës insercionale, që mund të çojë në aktivizimin e onkogjeneve ose frenimin e gjeneve që luftojnë tumoret. Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) thotë se nuk janë në dijeni të ndonjë shqetësimi, por Moderna në patentën e vet parashtron të njejtat shqetësime që ekzistojnë për ADN dhe mutagjenezën insercionale dhe gjenotoksicitetin.

Malone i referohet një pjese të një aplikimi për patentë nga kompania Moderna, botuar në 2019. Aplikimi për patentë ka të bëjë me vaksinat ARN, por pjesët e nënvizuara nga Malone flasin për vaksinat ADN.

Në përshkrimin e vaksinave ADN, aplikimi i Moderna përmend disa shqetësime teorike të lidhura me kancerin, si shembuj të disavantazheve të kësaj teknologjie.

Mutagjeneza insercionale është një fenomen që ndodh kur ADN e huaj integrohet në një gjenom, duke shkaktuar ndryshime në të. Shqetësimi i ngritur nga Moderna është se ADN mund të integrohet pikërisht në një vend të gabuar në ADN e një qelize, duke aktivizuar një gjen që mund të shkaktojë kancerin ose duke çaktivizuar një gjen që parandalon shndërrimin e qelizës në kancerogjene.

Shqetësimet e parashtruara nga Moderna kanë të bëjnë me vaksinat që përdorin ADN si përbërësin e tyre kryesor, jo ADN të mbetur në lloje të tjera vaksinash. 

Vaksinat me ADN funksionojnë duke futur ADN në bërthamën e një qelize, ku ajo më pas transkriptohet në mARN, e cila përdoret për të prodhuar proteina. Vaksinat mARN funksionojnë duke futur mARN në trupin e qelizës, ku ajo shërben si udhëzues për prodhimin e proteinave.

Më tej, aplikimi për patentë bën gjithashtu të qartë se, edhe për vaksinat me ADN, shqetësimi është teorik. Ky shqetësim potencial nuk është treguar të jetë një problem real sigurie, qoftë edhe për vaksinat ADN.

Në një studim përmbledhës mbi vaksinat mARN, shkencëtarët e FDA përmendën shqetësimet teorike në lidhje me mutagjenezën insercionale nga vaksinat me ADN, duke bërë të qartë se ata nuk e konsideronin këtë rrezik të dëshmuar.

Në renditjen e avantazheve të vaksinave mARN ndaj vaksinave ADN, ata iu referuan mungesës së rrezikut të “perceptuar” të integrimit të ADN në ADN e vetë personit. Ata shpjeguan se ky ishte një shqetësim me vaksinat ADN në të kaluarën, por eksperimentet kanë treguar se shkalla e integrimit ishte e ulët, “duke pakësuar kështu shqetësimin për integrimin”.

Një zëdhënës i FDA tha për FactCheck.org se “sa i përket vaksinave mARN, megjithëse shqetësime janë ngritur më parë në nivel teorik, provat shkencore të disponueshme mbështesin përfundimin se sasitë e vogla të ADN së mbetur nuk shkaktojnë kancer ose ndryshime në kodin gjenetik të një personi.”