Kompania e argëtimit për fëmijë “Disney” nuk planifikon të hapë klinika pediatrike transgjinore në mbarë ShBA. Postimet në rrjet marrin seriozisht një video satirë të prodhuar nga një Youtuber konservator amerikan që hiqet si përfaqësues i Disney në një forum publik.

———————————————

Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon teoria se kompania amerikane e argëtimit “Disney Entertainment” do të hapë klinika transgjinore për fëmijët në ShBA. 

Ky pretendim shoqërohet me videon e dikujt që prezantohet si “Alan Bergman, trajneri i Divizionit të Argëtimit të Disney” dhe parashtron planin për të futur fshehurazi tematikat LGBT në filmat e fëmijëve, dhe për të hapur “klinika pediatrike transgjinore në të gjithë vendin.”

Nëse kjo tingëllon pikërisht si mishërim i një teorie konspirative, është sepse personi në video është Mark Dice, një komentator dhe Youtuber konservator, i cili po hiqet si një përfaqësues i Disney.

Klipi që po qarkullon është shkëputur nga një mbledhje e Këshillit Bashkiak të Oceanside, një qytet i vogël në Kaliforni, e mbajtur më 21 qershor 2023. Këshilli i jep tre minuta kohë për të folur çdokujt që plotëson një formular tek dera.

Mark Dice e hodhi videon 3-minutëshe të fjalës së tij edhe në kanalin e tij në Youtube dhe në Bitchute, ku thuhet qartë se video është satirë.

Dice u shfaq si ‘Alan Bergman’ nga Disney dhe dha po të njejtin fjalim edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit Del Mar.

Më parë, Dice ka bërë një rreng të ngjashëm duke u hequr si babai i një fëmije transgjinor nga Uganda dhe si një profesor që mbronte teorinë kritike racore në dy mbledhje të Këshillit Bashkiak të qytetit Carlsbad.

përshkrimin e kanalit të tij në Youtube, Dice shkruan: “Më pëlqen të qesh me liberalët e çmendur, të tall plehrat e famshëm, dhe të ekspozoj Kompleksin Industrial Liberal Mediatik.”
Alan Bergman është bashkë-kryetar i Disney Entertainment, dhe dukshëm nuk përngjan me personin në video, Mark Dice.