Dhjetëra ankesa dhe padi në gjykatë nga 86 komisarë që fituan gradën, por u lanë në listë pritje duke u djegur karrierën një pjese të tyre. Emërime klienteliste dhe pa gradë përkatëse në poste kyçe?
Nga Sebi Alla
Një vit pritje për tu emëruar në pozicionin e punës sikurse iu jepte këtë të drejtë grada e fituar me konkurs, por në fund, ajo që morën nga strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit ishte lajmërimi që humbën jo vetëm punën sipas gradës, por edhe vetë gradën, duke ua hequr një yll nga supet… Dhjetëra komisarë janë djegur në një proces të dyshimtë emërimesh në strukturat e policisë, duke i detyruar disa prej tyre që t’i drejtohen gjykatës për rikthim të gradës së fituar dhe emërim në pozicionin e punës që i korrespondon këtij titulli. “Nuk është ndjekur procesi i rregullt i emërimeve pozicion pune-gradë dhe pavarësisht se jemi renditur fitues dhe kapur mbi 70 pikë, sikurse e përcakton ligji për Policinë e Shtetit, jemi shmangur padrejtësisht dhe në pozicione pune që i përket gradës komisarë janë emëruar nënkomisarë”, thotë për Faktoje.al një oficer policie, i cili konfirmon se tashmë ka hapur padi kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë me objekt: “detyrim të palës së paditur për dhënien e gradës komisar dhe pozicion të punës që i korrespondon kësaj grade”. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al shprehet ndër të tjera se: “…dhënia e gradës punonjësve të Policisë, në listë pritje, nuk lidhet drejtpërdrejt me renditjen”. Problematikat për emërimet e padrejta, klienteliste apo të ndikuar nga faktorë të tjerë janë ngritur edhe nga oficerë policie me gradën kryekomisarë, të cilët një pjesë prej tyre kanë parashtruar ankesa të shumta dhe më pas si mundësi të fundit shohin gjykatën.
Digj komisarin, punëso nënkomisarin
Më 26 prill 2024 pas përfundimit të procesit të konkurrimit u miratua lista e personave që fitonin gradën drejtues i parë, kryekomisar dhe komisar. Për gradën drejtues i parë nevojiteshin 12 pozicione pune, për gradën kryekomisar 200 dhe për atë komisar 320. Ndonëse në konkurs morën pjesë oficerë për fitimin e tre gradave, problematika është shfaqur kryesisht në emërime të padrejta dhe jo mbi bazën e meritokracisë për gradën kryekomisar dhe komisar. Konkretisht problem më i madh është për gradën komisar.
Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, fitonin gradë ata që merrnin mbi 70 % të pikëve. Konkretisht, në nenin 55 të ligjit për Policinë e Shtetit në pikën 2 të saj thuhet: “Shpallen fitues vetëm aplikantët, të cilët kanë marrë një vlerësim jo më të ulët se 70% të vlerës së përgjithshme të pikëve të testimit”. Gradën e fituan 406 oficerë të cilët siguruan mbi 70 pikë nga 100 të mundshmet. Të 320 oficerët e renditur të parët u emëruan menjëherë në postet përkatëse dhe morën gradën, ndërsa pjesa tjetër prej 86 oficerëve që de facto fitonin gradën komisar kaluan në listë pritjeje, deri në hapjen e pozicioneve të punës. Edhe pse rezultoi se u hapën shumë pozicione punë për gradën komisar, emërimet janë bërë edhe me gradën nënkomisar, duke mos iu përmbajtur kriterit të pikëzimit, por edhe gradës. “Duke qenë drejtpërdrejtë të interesuar, jemi informuar se janë hapur vende të lira pune që i korrespondon gradës komisar dhe nuk jemi emëruar ne që ishin në listë pritje dhe me gradën përkatëse, por nënkomisarë”, thotë për Faktoje.al, një tjetër oficer policie, i cili tashmë shpresën e ka vetëm në vendimin gjyqësor.
Punë e “mirë” pa gradë….
Sipas rregullores, nëse brenda harkut kohor të një viti hapen pozicione pune për një gradë përkatëse, titullari është i detyruar të emërojë kandidatin me më shumë pikë në listën e pritjes dhe më pas në rend zbritës deri në plotësimin e vakancave të krijuara. “Nëse ka oficerë që s’kanë qenë në pozicione pune ekuivalente me gradën dhe janë emëruar gjatë vitit të fundit dhe kanë marrë gradë, duke anashkaluar oficerët në listë pritjeje që plotësonin kriteret, atëherë kemi shkelje dhe shpërdorim detyre”, thotë për Faktoje.al, Sadedin Fishta, kreu i Shoqatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. “Problemi më i madh është me gradën komisar, por kemi pasur ankesa edhe nga kryekomisarë me të njëjtat shqetësime”, pohon ai. Fishta shprehet për Faktoje.al se për këtë shqetësim të ngritur nga shumë oficerë policie ka informuar edhe kreun e Ministrisë së Brendshme Ervin Hoxha. “Pas informimit presim një reagim nga ministri pasi kjo situatë nuk mund të kalojë lehtë, pasi në mënyrë të drejtëpërdrejtë zhbën edhe konceptin e konkurrimit”-thotë Fishta. Megjithatë, emërime janë bërë edhe nga lista prej 86 kandidatëve që ishin në listë pritje, që kishin fituar gradën komisar, por edhe aty nuk është ndjekur kriteri i pikëzimit, për të kaluar nga vendi 321 dhe me emërim zbritës sipas pikëve të fituara. “Kandidatet e renditur poshtë kuotave të shpallura të lira për gradën përkatëse, që janë vlerësuar me të paktën 70% të pikëve të vlerësimit të përgjithshëm, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë qëndruar në listën e pritjes për fitimin e gradës, për periudhën 29.04.2024 – 28.04.2025. Referuar dispozitave ligjore në fuqi nëse brenda këtij afati nuk bëhej e mundur dhënia e gradës, punonjësi i nënshtrohet konkurrimit të radhës”, thotë për Faktoje.al Policia e Shtetit. Në këtë mënyrë, një pjese të madhe kandidatëve që ishin në listë pritjeje u është djegur fitimi i gradës, duke i detyruar që të rifuten në konkurrim. Fjalia “nëse brenda këtij afati nuk bëhej e mundur dhënia e gradës, punonjësi i nënshtrohet konkurrimit të radhës”, bien ndesh me pretendimet e ankuesve, pasi “mundësitë” për vende të lira pune që i korrespondonin gradës kanë qenë, por emërimet nuk janë kryer sipas Ligjit për Policinë e Shtetit dhe udhëzimeve përkatëse. Me tre oficerë policie që Faktoje.al komunikoi thanë se disa nga emërimet me gradën nënkomisar në pozicionet e komisarit, ku përfshihen edhe shefa krimesh shpesh nuk kanë pasur certifikatë sigurie, kanë qenë me masë disiplinore dhe nuk kanë konkurruar për gradë dhe gjithashtu nuk kanë vite pune, që të justifikojnë ligjërisht pozicionin që mbajnë.
Në gjyq për punë dhe gradë
Faktoje.al ka ndjekur problemin e emërimeve në polici prej disa kohësh dhe gjithashtu edhe proceset gjyqësore. Në një rast ku ka “padi kolektive”, gjykata administrative (shënim: Faktoje.al e disponon edhe padinë, por ruan konfidencialitetin e efektivëve), i ka kërkuar disa herë juristit që mbron palën e paditur “Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit” që të vendosë në dispozicion të gjykatës emërimet përkatëse (të drejtorive vendore) përgjatë harkut kohor 29.04.2024-28.04.2025 për pozicionin e punës komisar dhe gradën përkatëse të të emëruarve. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, as gjykatës nuk i është vënë në dispozicion këto emërime. “Gjatë procesit dukshëm konstatojmë shkelje në emërime, por presim vendimin përfundimtar”, thotë një nga komisarët de facto, por nënkomisar de jure për shkak të mosemërimit sipas meritokracisë. Megjithatë, Policia e Shtetit në një reagim për Faktoje.al, pavarësisht se nuk iu përgjigj pyetjes thelbësore nëse janë emëruar nënkomisarë në pozicione pune që i përket gradës komisar dhe a është zbatuar emërimi sipas pikëzimit në listën e pritjes thanë se: “dhënia e gradës punonjësve të Policisë, në listë pritje, nuk lidhet drejtpërdrejtë me renditjen. Ky proces ka synuar të sigurojë një përputhje të drejtë dhe të balancuar midis kërkesave të institucionit dhe zhvillimit profesional të punonjësve, duke ruajtur gjithmonë transparencën dhe objektivitetin në vlerësim”. Pavarësisht këtij qëndrimi, Faktoje.al ka mësuar se të 86 oficerët me gradën komisar që kaluan në listë pritje për emërim pasi dolën fitues kanë ndjekur të gjithë trajnimet e nevojshme post konkurrim për të cilët janë vlerësuar për profesionalizëm.
Gradë e “zhgraduar”
Emërimet pa meritë në Policinë e Shtetit duket se janë një fenomen i hershëm, që herë pas here kthehet në çështje serioze, duke anashkaluar aspektin profesional dhe vendosur atë klientelist, miqësor apo deri në akuza për “korruptim në emërime”. Një fakt të tillë e pranon edhe kreu i Shoqatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit Sadedin Fishta. Pikërisht për të shmangur “emërimet me taraf miqësor apo politik”, Gjykata e Lartë në një vendim unifikues në gusht të vitit 2021 mori vendimin që gradat nga nënkomisar deri në nivel drejtues i parë duhet t’i nënshtrohen procedurës së vlerësimit konkurrues. “Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë. Kjo çështje u mor në shqyrtim pikërisht për t’i prerë rrugë emërimeve klienteliste në Policinë e Shtetit, duke e detyruar këtë të fundit që emërimet të bëheshin mbi bazën e gradës dhe meritokracisë pas konkurrimit. Rasti i komisarëve tashmë është në duart e Gjykatës Administrative, por çështja e shkeljeve ligjore mund të kalojë edhe në denoncime për ndjekje të mundshme penale për krerët e Policisë së Shtetit për çështjen e emërimeve pa kriter në radhët e policisë.