Pretendimi: Presidenti i Real Madrid ka ndaluar fansat LGBT në stadiumin e tij
Verdikti: E paprovuar
Barbara Halla
Në rrjetet sociale shqiptare po qarkulloni pretendimi se presidenti i Real Madrid, Florentino Pérez, ka shpallur një “ndalim të plotë” për kulturën “woke” dhe komunitetin LGBT në klubin e tij. Ky pretendim, i cili po shpërndahet në rrjet prej disa javësh (duke përfshirë rrjetet sociale të huaja), është tërësisht i pabazuar në fakte.

Një hulumtim i mëtejshëm nuk ka gjetur asnjë deklaratë publike zyrtare nga Florentino Pérez ose nga klubi Real Madrid që flet për “ndalim [të] plotë të kulturës woke dhe LGBT” siç thuhet në postim. Kërkimet në faqet zyrtare dhe në mediat sportive nuk kanë publikuar një komunikatë të tillë. Për shembull, në një fjalim të Pérez për anëtarët e klubit në korrik 2024, ai përmend se klubi “i përket zemrave të njerëzve, pa marrë parasysh origjinën, kulturën, gjuhën, fenë apo përkatësinë.” Kjo ishte deklaruar si pjesë e vlerave të klubit dhe si përkushtim ndaj barazisë.
Ky pretendim duket ta ketë origjinën në faqe të ndryshme në rrjet, sidomos ato në Facebook. Megjithatë, këtu bëhet fjalë për spekulime nga burime të pabesueshme dhe jo faqe zyrtare të Real Madrid apo media tradicionale.

Një pretendim i ngjashëm sipas të cilit Real Madridit ka vendosur të mos i shesë bileta tifozëve LGBT ka qarkulluar po ashtu në rrjet para disa muajsh. Nuk ka burime të besueshme që të konfirmojnë se klubi ka vepruar me këtë mënyrë. Në dokumentet zyrtare të klubit për kushtet e biletave, nuk ka përmendje të përjashtimit të tifozëve LGBT në mënyrë specifike.
Për më tepër, politikat e Real Madridit nuk përmbajnë politika të drejtpërdrejta mbi komunitetin LGBT. Në deklaratat e lëshuara nga klubi në në kuadrin e përgjithshëm të përgjegjësisë sociale përmenden barazia, të drejtat njerëzore, etikë dhe anti-diskriminimi.

Në përfundim, nuk ka prova për të mbështetur pohimin se Florentino Pérez ka njoftuar një politikë kaq radikale kundër LGBT ose kulturës “woke.” Edhe përse Real Madrid nuk ka asnjë deklaratë ose politikë mbi çështjet LGBT, një hulumtim në deklaratat dhe dokumentet e klubit nuk tregojnë politika kundër personave LGBT+ ose çështjeve progresive që mblidhen nën umbrellën “woke.”