Pretendimi: Reshjet në Iran u rritën pasi ai shkatërroi radarët amerikanë në vendet arabe, që do të thotë se radarët amerikanë shkaktuan thatësirat.
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se reshjet në Iran u rritën pasi ky i fundit shkatërroi radarët amerikanë në vendet arabe si sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë gjatë javëve të fundit. Si rrjedhim, pretendohet, radarët amerikanë kishin shkaktuar thatësirat në rajon.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të pazakontë nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Ky pretendim duket se e ka origjinën nga një postim i fshirë më vonë nga ambasada iraniane në Afganistan. Nuk ekziston asnjë version i arkivuar i atij postimi, por një gazetë e madhe iraniane raportoi se ambasada shkroi: “Pasi Irani shkatërroi qendrën sekrete të ndryshimeve klimatike të Emirateve të Bashkuara Arabe, modelet e motit në rajon ndryshuan plotësisht. Iraku dhe Irani tani po përjetojnë reshje të dendura javore dhe një rënie të temperaturës me 5 gradë.”
Ka disa probleme me këtë pretendim. Si fillim, nuk ka prova që kjo qendër kërkimore është sulmuar. Më tej, sipas shkencëtarëve, ky është një keqinterpretim i plotë i mënyrës se si funksionon teknologjia e mbjelljes së reve.
Një parashikim nga Organizata Botërore Meteorologjike tha se priteshin “shira dhe stuhi të moderuara/lokalisht të dendura (përmbytje të menjëhershme/rrëshqitje toke të mundshme) në Republikën Islamike të Iranit Veriperëndimor dhe Perëndimor më 18-21 prill”. Videot e digave të tejmbushura dhe niveleve të ngritur të lumenjve përputhen me këtë parashikim.
Nuk është e pazakontë që Irani i goditur nga thatësira të përjetojë periudha me reshje intensive. Ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë ashpërsinë e këtyre thatësirave dhe reshjeve ekstreme. Në dhjetor 2025, Irani përjetoi përmbytje të mëdha të menjëhershme dhe dalje nga shtrati të lumenjve, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një qendër të quajtur Programi i Kërkimit për Shkencën e Përmirësimit të Shiut (UAEREP). Megjithatë, ajo nuk është një “qendër sekrete për ndryshimet klimatike”, siç pretendohet në postimin e fshirë të ambasadës së Iranit.
Sipas faqes së saj të internetit, UAEREP ekziston që nga viti 1990 dhe “është në ballë të avancimit të kërkimit për përmirësimin e reshjeve dhe nxitjes së inovacioneve që forcojnë sigurinë globale të ujit”.
UAEREP financon kërkime nga e gjithë bota dhe piloton operacionet e saj të mbjelljes së reve.
“Jam shumë i njohur me të”, tha për DW Armin Sorooshian, një studiues i Universitetit të Arizonës i cili studion efektet e grimcave të aerosolit në re. “Për njerëzit që studiojnë fizikën atmosferike, ndërveprimet e reve të aerosolit, kjo është një mundësi që ka ekzistuar për shumë vite për financim, ku njerëzit shkruajnë propozime për këtë program”.
Nuk ka patur ndonjë raportim të bësueshëm se qendra ishte shënjestër e një sulmi iranian.
UAEREP ka postuar në rrjete sociale pasi pretendohet se u shkatërrua, duke festuar Ditën e Tokës dhe duke reklamuar pjesëmarrjen e saj në një konferencë globale.
Teknologjia e ‘mbjelljes së reve’ daton që nga mesi i shekullit të XX. Shkencëtarët zbuluan një teknikë për të nxitur shiun nga retë që mund të jenë tashmë në prag të reshjeve. Ata e bëjnë këtë duke lëshuar agjentë si jodur argjendi ose klorur natriumi në brendësi të reve duke përdorur aeroplanë ose lëshues me bazë tokësore.
“Gjëja kryesore këtu është se nuk e bën shiun nga hiçi”, tha për DW Edward Gryspeerdt, profesor i fizikës atmosferike në Imperial College London. “Nuk mund të kesh një qiell të kthjellët, papritmas ta mbjellësh dhe të shfaqen re dhe shi. Duhet që këto re të ekzistojnë tashmë në prag të shiut, dhe thjesht po i jep një shtysë.”
Meqenëse retë tashmë duhet të jenë të prirura ndaj reshjeve, mund të jetë e vështirë të matet se sa efektive është kjo teknikë. Zakonisht zbatohet në mjedise në shkallë të vogël, si rritja e shtresës së borës mbi një pistë skijimi, tha Gryspeerdt. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, qëllimi është luftimi i mangësisë së ujit.
Deri më sot, teknologjitë e mbjelljes së reve nuk mund të ndikojnë në modelet e motit në një rajon të tërë.
“Edhe nëse do të funksiononin, ato do të ishin ende në një shkallë shumë të vogël,” tha Gryspeerdt. “Ato nuk janë në shkallën ku mund të ndryshojnë modelet e rrjedhës atmosferike, për shembull, dhe të zhvendosin shiun larg në të gjithë planetin.”
Literatura shkencore aktuale sugjeron që mbjellja e reve mund të rrisë reshjet me 5-20% në një shkallë mikro.
“Ndoshta reshjet mund të zgjasin më shumë dhe të bien diku tjetër, por shkalla e asaj për të cilën po flasim – e modeleve të motit dhe rritjes së reshjeve në Iran – është shumë më e madhe se ajo që mund të arrihet me një strukturë mbjellëse,” tha studiuesi Armin Sorooshian.
“Thjesht nuk ka kuptim,” shtoi ai, duke e quajtur atë një “mospërputhje në shkallë shumë të madhe”.
Sa i përket pretendimit se kanë qenë radarët amerikanë që kanë shkaktuar thatësirat, profesore Helene Galiegue nga Shkolla Kombëtare e Aviacionit Civil francez ka thënë për AFP se radarët nuk mund të shkaktojnë ndryshime në klimë apo në mot.
“Valët elektromagnetike në këto frekuenca nuk ndryshojnë strukturën e grimcave të shiut apo reve, dhe atmosfera është plotësisht transparente ndaj valëve të frekuencave të larta. Nga ana tjetër, radarët me brez X përdoren nga meteorologët për të zbuluar dhe hartuar grimcat e shiut në distanca shumë të gjata,” tha Galiegue.
Maria Sabrina Greco, profesore në Universitetin e Pizës konfirmoi për AFP se “nuk ka radarë të aftë për të shkaktuar ndryshime klimaterike ose manipulime të motit.”






