Pretendimi: kjo video tregon varjen publike në Siri të ish-presidentit sirian Bashar al-Assad
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————–
Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al Assad në Siri në fund të nëntorit 2024, në rrjete sociale po qarkullon një video e cila pretendohet se tregon varjen publike të një pjesëtari të familjes së Assad.
Assad dhe familja e tij u arratisën në Rusi pas rënies së regjimit sirian si pasojë e një sulmi të fund-nëntorit nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe fraksione të tjera rebele aleate. Më 9 dhjetor, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Putin kishte vendosur personalisht t’i jepte azil politik Asadit dhe familjes së tij.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është publikuar edhe në një faqe në arabisht, ku i ekzekutuari identifikohet si Ammar Al-Asaad, i cili nuk ka lidhje familjare me Assad, por ka një mbiemër të ngjashëm.
Sipas mediave vendase, ai u ekzekutua në qytetin Khirbet Ghazala, që ndodhet në Sirinë jugperëndimore. Burri u ekzekutua për vrasjen e Muhammad Ziad Al-Haj Ali, bashkëshortit të të dashurës së tij më 11 gusht 2024. Bashkë me të u ekzekutua edhe e dashura e tij, e njohur me emrin “Diana”. Dy të pandehurit u dënuan me vdekje më 14 nëntor nga Gjykata Penale e Da’ara dhe u ekzekutuan më 7 dhjetor 2024.
Ammar Badi al-Assad është kushëriri i ish-presidentit sirian Bashar al-Assad dhe ai kishte fituar një mandat në zgjedhjet e fundit të Asamblesë Popullore Siriane për Guvernatorin e Latakisë nga Partia Baathiste.
Nuk ka asnjë lajm zyrtar për ekzekutimin e Ammar Badi al-Assad.