Pretendimi: Kjo video tregon një “skenë të nxehtë” në autobusin e Unazës në Tiranë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Një video që ka marrë mbi një mijë pëlqime në profilin në Facebook të portalit Gazeta Albania, tregon një grua duke hequr këpucët me taka në një autobus. Mbishkrimi që shoqëron videon pretendon se skena ka ndodhur në linjën e autobusëve urbanë të Unazës në Tiranë.Të shumtë janë komentet që kritikojnë gruan për veprimin e pahijshëm në urban, ndërsa të tjerë, kryesisht gra, realizuesin e videos së debatueshme. Falë këtyre qëndrimeve të kundërta, portali ka mbledhur klikime të shumta. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është postuar në 2023rrjete sociale nga vetë gruaja që duket në klip, një parukiere nga Krimea që quhet Oksana Mishyna.

Në përshkrimin e videos nuk specifikohet se ku është xhiruar, por ai liston një sërë destinacionesh popullore udhëtimi, si dhe Maqedoninë e Veriut.

Në videon e plotë dallohet se në autobus ka një afishe me logon e A1, një kompani austriake telekomunikacioni që operon në vende të ndryshme, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut. Kjo kompani nuk operon në Shqipëri.

Video është postuar për herë të parë në Prill 2023. Postime të tjera të të njejtës periudhë tregojnë se Mishyna ndodhej në Shkup në atë kohë.

Bazuar në postimet e saj në rrjete sociale, nuk duket se Mishyna ka udhëtuar ende drejt Shqipërisë.

Si përfundim, skena e Mishyna që heq këpucët me gjasa nuk ka ndodhur në autobusin e Unazës, por në një autobus urban të Shkupit.