Pretendimi: Kjo video tregon presidentin francez Macron duke bërë me duar shenjën sataniste Illuminati
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon një video e presidentit francez duke bërë një shenjë trekëndore me duar. Kjo video shoqërohet me pretendimin se domethënia e këtij gjesti ka të bëjë me “Illuminati” apo satanizmin.
Në të vërtetë, video është nga një takim i 16 majit 2017 midis presidentit francez dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në mbështetje të ofertës olimpike të Parisit për vitin 2024.
Siç kanë shpjeguar dhe kolegët fakt-verifikues nga Franca, Macron dhe anëtarët e IOC po bënin një shenjë trekëndëshe me dorë që simbolizon kullën Eifel në gjuhën e shenjave.
Në një fotografi tjetër nga viti 2017 Macron u pa sërish duke bërë gjestin me anëtarët IOC.
Shenja e bërë në këtë foto korrespondon me logon e Lojërave Olimpike të Parisit 2024, dhe me Kullën Eifel. Kjo logo u prezantua që në shkurt 2016. Deklarata për shtyp e asaj kohe fliste për një logo “që evokon siluetën e Kullës Eifel […] një monument emblematik dhe unifikues”.
Një gjest i lehtë për t’u përsëritur për komunikimin e komitetit organizativ, pasi ai përsëritet në ngjarje të tjera nga anëtarët e tij, si dhe nga figura politike dhe sportistë që shprehin mbështetjen e tyre për ofertën e Francës. Është gjithashtu shenja për “Parisin” dhe “Kullën Eifel” në gjuhën franceze të shenjave.
Në kohën kur Parisi ishte ende vetëm kandidat për të mbajtur Lojërat Olimpike 2024, atletë të famshëm si Estelle Mossely, Tony Yoka dhe Zinedine Zidane pozuan me të njejtin gjest për të shprehur mbështetjen e tyre për ofertën franceze.
Videot që tregojnë se si të thuhet fjala “Paris” në gjuhën e shenjave mund të shihen këtu dhe këtu.
Illuminati, një shoqëri sekrete, ishte aktive për një dekadë në Evropën e mes-shekullit të 18-të përpara se të shpërbëhej, siç shpjegohet këtu dhe këtu.