Kjo prishje ndërtese nuk ka lidhje me ndarjen fetare në Indi

12

Pretendimi: Kjo video tregon indianë të fesë Hindu duke shkatërruar një xhami

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————–

Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon indianë të besimit Hindu që po shkatërrojnë një xhami.

Është e vërtetë se u raportuan sulme ndaj myslimanëve, pronave të tyre dhe xhamive në Bengalin Perëndimor pasi BJP e kryeministrit indian Narendra Modi erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të majit 2026, fitorja e parë zgjedhore e partisë hindu-nacionaliste në atë shtet.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë nga këto incidente.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht, në një version më të gjatë, nga një media bangladeshase më 19 shtator 2026.

Përshkrimi në gjuhën bengale lexon: “Vrasja e fëmijës Koli në Pabna: Banorët vandalizojnë shtëpinë e të akuzuarit të arrestuar.”

Video e gjatë tregon një turmë të madhe të mbledhur rreth një ndërtese shumëkatëshe, ndërsa njerëzit përdorin vare për të shembur strukturën.

Shefi i stacionit vendas të policisë, Md Tariqul Islam, i tha AFP se shtëpia i përkiste njërit prej dy personave të akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 10-vjeçare. “Dy persona, së bashku me pronarin e shtëpisë, janë ndaluar dhe dërguar në burg,” tha Tariqul.

Raportime të tjera nga mediat dhe faqet vendase tregojnë vandalizmin në Pabna nga këndvështrime të ndryshme.