Pretendimi: Kjo video e një personi të veshur si qen tregon “një mbasdite të këndshme në Amerikë”.
Verdikti: E pavërtetë.
————————————————-
Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon dy anë të një rruge. Në njërën anë, një person i veshur si qen është ulur në tokë, duke pozuar për një fotograf. Në anën tjetër, një çift i moshuar që po darkon shohin të habitur skenën.
Video pretendohet se tregon “një mbasdite të këndshme në Amerikë” për të nënvizuar absurditetin e supozuar të situatës. Komentet e përdoruesve, pritshëm, shprehin skandalizimin që ka për qëllim të ngjallte video.
Megjithatë, një detaj i videos na bën të dyshojmë pretendimin se kjo video është xhiruar në Amerikë.
Targa e makinës që duket në video nuk i përngjan formatit të targave të ShBA, por ngjan më shumë me një targë të BE, me drejtkëndëshin blu në cepin e majtë.
Për të gjetur se ku është xhiruar video, mund të përdorim disa emra vendesh që shfaqen në video. Për shembull, shkruar në një tabelë në sfond, mund të dallohet emri “C’ho Fame”, ndërsa në tendën e restorantit ku po darkojnë çifti i moshuar shkruan “L’education Nationale”.
Një kërkim i shpejtë në Google na tregon se piceria C’ho Fame gjendet në Copenhagen, Danimarkë. Me anë të Google Maps, zbulojmë se nga ana tjetër e rrugës ndodhet një restorant francez i quajtur L’Education Nationale.
Me anë të Google Street Vieë, konfirmojmë se video e mësipërme është xhiruar në rrugën Larsbjørnsstræde, në Kopenhag, Danimarkë.
Më tej, vëmë re se përballë restorantit L’Education Nationale, në vendin ku ishte ulur personi i vehur si qen, ndodhet dyqani Homoware, një dyqan lodrash seksi që shet, ndër të tjera, maska qeni për njerëzit. Gjasat janë që personi i veshur si qen po fotografohej përpara dyqanit si pjesë e një fushate promocionale për produktet e dyqanit.
Për mbyllje, video e sipërme nuk tregon një pasdite në Amerikë, por një rrugë në Kopenhagen, Danimarkë, ku një çift i moshuar po kupton se kanë zgjedhur të darkojnë përballë një dyqani lojërash seksi.