Pretendimi: Kjo foto tregon certifikatën e vdekjes së Joe Biden, i ekzekutuar në 2018

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Konspiracionistët në rrjet po shpërndajnë lajmin se presidenti amerikan Joe Biden ka vdekur që në vitin 2018. Si ‘provë’ për këtë sillet imazhi i një ‘certifikate vdekjeje’ që shënon se një Joseph Robinette Biden Jr. ka vdekur në 2018 në Guantanamo, në Kubë.

Ky pretendim e ka origjinën në një postim të 14 marsit në faqen FindAGrave.com, një faqe e lidhur me Ancestry.com. Postimi mbante datën dhe vendin e lindjes së Biden dhe pretendonte se ai ishte ekzekutuar për tradhëti në 2018.

Çdokush mund të shtojë informacion në faqen Ancestry.com. Megjithëse supozohet që përdoruesit nuk duhet të shtojnë informacion që e dinë se është i rremë, kjo gjë mund të ndodhë dhe nuk ka shumë mbikëqyrje fillestare, tha një zëdhënëse e faqes për USA Today.

Zëdhënësja Katherine Wylie shtoi gjithashtu se postimet e rreme ishin fshirë nga faqet Ancestry.com dhe FindAGrave.com. “Jashtë termave dhe kushteve të faqes sonë, ne nuk pretendojmë asnjë autoritet mbi atë që dikush zgjedh të publikojë në pemët e tyre familjare,” tha ajo.

Postimi i rremë pretendonte gjithashtu se Biden ishte varrosur në Varrezat Kombëtare në Arlington, por një kërkim në bazën e të dhënave të varrezave nuk jep ndonjë rezultat për Biden.
Ndërkohë, presidenti Biden është shfaqur publikisht këtë muaj në 80-vjetorin e Ditës D, në samitin G7 dhe do të përballet me kundërshtarin e tij në garën presidenciale të 2024, ish- presidentin Donald Trump, në një debat që do mbahet më 27 qershor.