Pretendimi: Zëdhënësi i ushtrisë kineze konfirmon rreshtimin e Kinës me Rusinë në një Luftë të Tretë Botërore

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se Kina është rreshtuar krahas Rusisë duke iu kundërvënë vendeve Perëndimore dhe NATO. 

Ky pretendim duket se është në të vërtetë një interpretim i fjalëve të zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes kineze Wu Qian, i cili citohet të ketë thënë: 

“Forcat e armatosura kineze janë të gatshme të bashkëpunojnë me ushtrinë ruse për të zbatuar plotësisht konvergjencën e rëndësishme të arritur nga krerët e të dy shteteve, me qëllim forcimin e mëtejshëm të komunikimit dhe koordinimit strategjik, dhe thellimin e besimit të ndërsjellë në fushën ushtarake dhe të zbatojnë bashkërisht iniciativën për Sigurinë Globale. Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze (PLA) është e gatshme të forcojë lidhjet strategjike me forcat e armatosura ruse dhe të bashkëpunojë me to për të mbrojtur drejtësinë ndërkombëtare”

Kjo deklaratë diplomatike interpretohet nga postimi i mësipërm si “mesazh i qartë për vendet anëtare të NATO-s” që i bën “të qartë Perëndimit se në rast të një në konflikt me Rusinë, Kina do të qëndrojë në mënyrë aktive në krah të saj.” Skenari imagjinar shkon edhe më tej duke parashikuar se “SHBA-të do të duhet të përballen së bashku me dy superfuqitë e tjera të planetit.”

Postimi i publikuar në 1 qershor, gjithashtu thekson se “nuk është rastësi që deklarata vjen në një kohë kur Perëndimi po planifikon të sulmojë territorin e Federatës Ruse.”

Përtej spekulimeve, postimi nuk ofron ndonjë referencë apo burim për deklaratën e pretenduar të zyrtarit kinez.

Faktoje arriti të gjejë vetëm një burim ku zëdhënësi Wu Qian citohet të ketë thënë sa më sipër. 

Ishte vetë agjensia shtetërore ruse e lajmeve TASS, e cila raportoi më 28 dhjetor 2023 se Wu Qian kishte thënë në një konferencë për shtyp:

“Ushtria kineze është e gatshme të punojë me ushtrinë ruse për të zbatuar plotësisht konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve, për të forcuar më tej komunikimin dhe koordinimin strategjik, për të organizuar rregullisht patrulla të përbashkëta detare dhe ajrore, për të forcuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin, <…> gati për të punuar së bashku për të zbatuar iniciativat globale të sigurisë, për të mbrojtur së bashku drejtësinë ndërkombëtare dhe për të dhënë kontribute të reja për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar dhe rajonal.”

Kjo deklaratë standarde diplomatike në një konferencë për shtyp 6 muaj më parë po interpretohet në rrjet si përgjigja e Kinës ndaj diskutimeve që po zhvillohen mes vendeve evropiane dhe NATO-s për të hequr kufizimet e përdorimit të armëve të dhuruara Ukrainës në brendësi të territorit rus. Diçka që interpretohet si fillimi i një Luftë të Tretë Botërore.