Pretendimi: Këto foto tregojnë demonstrata pro-ruse që u mbajtën në mbarë Europën në mars 2025

Verdikti: E pavërtetë

——————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullojnë disa foto që pretendohet se tregojnë demonstrata pro-ruse të mbajtura në mars 2025 në Europë.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Lens, Faktoje gjeti se ky pretendim është i pavërtetë.

Foto e parë nga e majta është shkrepur në Mars 2022 në Beograd, kur rreth njëmijë demonstrues pro-rusë dolën në rrugë për të shprehur mbështetjen e tyre për pushtimin rus të Ukrainës.

Foto e mesit është nga 10 prilli 2022, gjatë një demonstrate që u zhvillua nën moton “Kundër provokimit dhe diskriminimit të bashkëqytetarëve rusishtfolës/kundër luftës. Për paqe” në Frankfurt, Gjermani.

Foto në krahun e djathtë është shkrepur në Moskë në Korrik 2019. Ajo tregon një protestë që mblodhi mbi 20 mijë qytetarë rusë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta në Rusi. 

Protestuesit po kërkonin që kandidatëve të opozitës t’u lejohej të regjistroheshin për zgjedhjet e shtatorit 2019. Autoritetet ruse kishin refuzuar t’i regjistronin ato pavarësisht se secili kandidat kishte mbledhur minimumin e 5000 nënshkrimeve të nevojshme për t’u kualifikuar për të kandiduar. Aktivistët kundër qeverisë së presidentit Putin thanë se autoritetet, në mënyrë të padrejtë, i kishin shpallur të pavlefshme nënshkrimet e mbështetësve. Rreth 30 kandidatëve iu ndalua të garojnë.