Pretendimi: Kjo video tregon përmbytjet e tetorit 2024 në Spanjë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————–
Mbi 200 persona kanë vdekur në Spanjën juglindore si pasojë e përmbytjeve masive nga reshjet e shumta që nisën më 29 tetor 2024. Sipas shërbimit meteorologjik spanjoll, reshjet e një viti ranë brenda 8 orësh në Valencia.
Në rrjete sociale po qarkullojnë shumë pamje të situatës, përfshi edhe video e një personi mbi çatinë e një makine që po merret nga vërshimi i ujit.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është nga vera e 2023 dhe tregon përmbytjet në Zaragoza.
Pamjet e videos janë botuar nga mediat vendase spanjolle në korrik të 2023, si pjesë e raportimeve mbi përmbytjet në Zaragoza, 320 km larg Valencias.
Mediat spanjolle e vendosin video në Barranco de la Muerte në Zaragoza. Një krahasim i pamjeve të videos me pamjet nga Google Street View, konfirmojnë se video është xhiruar vërtet në këtë vend.
Pamje nga Zaragoza në Google Street View (majtas) dhe në video (djathtas)