Disa imazhe që po qarkullojnë në rrjet pretendohet se tregojnë fëmijë palestinezë përballë bombardimeve në Gaza. Verifikimi i Faktoje zbuloi se imazhet janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificale (AI).

—————————————————

Ndërsa bombardimet në Gaza po hyjnë në javën e pestë, në rrjete sociale po qarkullojnë një numër imazhesh të paverifikuara që pretendojnë se tregojnë realitetin në Rripin e Gazës. 

Ndër to, Faktoje hasi dy imazhe që duket se tregojnë siluetat e dy fëmijëve përballë shpërthimeve në mes të rrënojave.

Duke qenë se, edhe me sy të lirë, këto imazhe i përngjasojnë më tepër pikturave se sa fotografive nga një zonë lufte, Faktoje vendosi të verifikojë vërtetësinë e tyre.

Me anë të programit AI or Not, Faktoje zbuloi se imazhet e mësipërm janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificale (AI).

Për më tepër, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se imazhi i dytë ishte postuar fillimisht në Twitter nga media turke GDH. Postimi shoqërohej me përshkrimin “Tablo e jetës në Gaza e vizatuar nga Inteligjenca Artificiale”.