Pretendimi: Këto foto tregojnë Marilyn Monroe, e cila është gjallë.
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————–
Dyshimi se aktorja e mirënjohur Marilyn Monroe nuk ka vdekur në vitin 1962, por është ende e gjallë, qarkullon prej kohësh njëjtazi si për shumë ikona të tjera të artit të ndara para kohe nga jeta. Së fundmi, si provë e këtij pretendimi po sillen fotot e një gruaje që supozohet se është Marilyn Monroe në ditët e sotme.
Aktorja Marilyn Monroe lindi Norma Jeane Mortenson më 1 qershor 1926. Ajo vdiq në moshën 36 vjeçare më 4 gusht 1962. Mjeku ligjor i Kontesë së Los Angeles në atë kohë, Theodore Curphey, e klasifikoi vdekjen e Monroe “me gjasa vetëvrasje”.
Sa i përket gruas në fotot që shoqërojnë postimin, e cila pretendohet se është në të vërtetë Monroe, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se ajo quhet Veronica Wolski nga Chicago.
Wolski ishte e njohur për aktivizmin e saj politik. Ajo fitoi vëmendje në vitin 2016 duke qëndruar në një urë për këmbësorë mbi autostradën Kennedy me pankarta që tregonin mbështetje për kandidatin presidencial Bernie Sanders, por më pas ajo nisi të përfshihej me ndjekësit e teorisë konspirative QAnon. Kanali i saj në Telegram përfshin postime të shumta që tregojnë përbuzje për maskat, vaksinat dhe qasjet e tjera kryesore për të shmangur Covid-19.
Mediat amerikane raportojnë se, fatkeqësisht, Wolski ndërroi jetë në një spital në Chicago në vitin 2021, në moshën 64 vjeçare.
Shkaku i vdekjes së Wolski ishte pneumonia për shkak të infeksionit Covid-19 me hipotiroidizëm si një faktor kontribues tha një zëdhënëse e zyrës së ekzaminuesit mjekësor të Cook County.
Marylin Monroe, nëse do të ishtë ende gjallë në 2021, do të ishte 95 vjeç. Ndërkaq Wolski ishte 64 vjeç kur vdiq më 2021, mbi 30 vjet më e re.