Pretendimi: Kjo video tregon një eksperiment me valë zëri të projektit HAARP në një liqen në Alaskë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet një video e cila pretendohet se tregon një eksperiment të kryer mbi ujin me anë të valëve të radios nga projekti HAARP 20 vjet më parë në Alaskë.

Megjithëse uji në video duket i panatyrshëm, kjo është për shkak të një kombinimi faktorësh dhe asnjëri prej tyre nuk përfshin HAARP. Pemët në sfond dhe bari në breg të lumit janë të turbullt dhe të zgjatur në mënyrë të panatyrshme, ashtu si dhe uji.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një version i kësaj video është postuar në Youtube në janar 2023. Në të, nuk ka tingullin ogurzi si në videon e postuar më sipër, por mund të dëgjohen njerëz duke folur dhe fëmijë duke luajtur.

Në fund të videos, personi që filmon tregon njerëzit pranë tij. Ata gjithashtu janë të shtrembëruar në kënde të panatyrshme për shkak të videos së shtrembëruar.

Përshkrimi që shoqëron videon, “ombak bono,” është në gjuhën indoneziane dhe përkthehet në “vala bono”. Kështu quhet një fenomen baticor që ndodh në lumin Kampar, ku këndi kryesor i baticës hyrëse formon një ose disa valë uji që përshkojnë një lumë ose gji të ngushtë, duke ndryshuar drejtimin e rrymës së tij. Është një baticë e fortë që shtyn përpjetë lumit, kundër rrymës.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.