Pretendimi: Saliha Raiss ka deklaruar se nëse belgët nuk duan Islamin dhe shamitë, duhet të largohen nga ky vend

Vlerësimi: Mungon konteksti

Jona Cenameri

Zërave kritikë për emigracionin në Evropë u është ofruar një tjetër argument ditët e fundit falë publikimit të një sekuence të fjalimit të Saliha Raiss, këshilltares myslimane komunale në Molenbeek të Brukselit. Politikania belge dëgjohet të thotë: “Nëse nuk doni të na shihni më… nëse Molenbeek është i papërballueshëm për ju… zhvendosuni diku tjetër. Largohuni!” 

Ky postim është ndarë në 1 shtator edhe nga një profil shqipfolës me tekstin: “Politikania belge (që pretendon se është myslimane), Saliha, nga Molenbeek i Brukselit, deklaron publikisht se nëse belgët (vendasit) nuk duan Islamin dhe shamitë, duhet të shkojnë diku tjetër!” Teksti vijon me fyerje dhe stereotipe për figurën e saj.

Duke verifikuar më tej këtë video nëpërmjet motorrit të kërkimit Google Lens, zbulojmë se kjo sekuencë është shkëputur nga transmetimi direkt i mbledhjes së këshillit bashkiak të Molenbeek-Saint-Jean, një nga 19 ndarjet territoriale të Brukselit, me një popullsi të madhe myslimane, të mbajtur më 27 gusht 2025.

Këshilltarja Raiss dëgjohet të shprehet në frengjisht e shqetësuar për komentet raciste që shfaqen në Facebookun e partisë së djathtë belge Mouvement Reformateur (Lëvizja Reformiste) dhe se nuk po bëhej mjaftueshëm për t’i hequr ato.

Ajo thotë: “Dhe nëse këta njerëz (komentuesit) shqetësohen që mbajmë pëlhura perdesh (duke iu referuar shamive islamike) – mund t’ju jap referencat nëse doni sepse me sa duket ngjall shumë interes – nëse i shqetësojmë kaq shumë, nëse nuk duan as të na shohin më, dua të them se bashkia ka 19 komuna, nëse Molenbeek me sa duket është shumë i pajetueshëm, ndërroni anë, shkoni diku tjetër! Dilni jashtë!”

Ky version përforcohet edhe nga një verifikim i Reuters Fact Check, i cili ka zbuluar se një nga komentuesit në Facebookun e “Lëvizja Reformiste” shkruante se Raiss mbante një perde në kokë, shprehje që u përdor në fjalimin e Raiss.

Një zëdhënëse e Mouvement Reformateur në Molenbeek tha në një email për Reuters më 3 shtator se komentet raciste ishin fshirë nga rrjetet sociale pasi grupimi i tyre nuk pranon fyerje “ksenofobike, islamofobike ose raciste”.

Raiss shpjegoi për median belge BX1 se klipi i mediave sociale kishte shkurtuar komentet e saj dhe kishte shtrembëruar të vërtetën. Ajo tha se u kishte kërkuar ksenofobëve dhe racistëve të largoheshin nga Molenbeek, jo që të gjithë belgët të largoheshin nga distrikti.

Asnjë burim i besueshëm nuk e mbështet versionin se Raiss ka kërkuar që qytetarët belgë të largohen nga Belgjika apo nga Evropa.