Pretendimi: Ky produkt i rekomanduar nga Ylli Merja ripërtërin shikimin
Verdikti: E pavërtetë, skemë mashtrimi
—————————————————–
Një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si një portal i mirëfilltë lajmesh pretendon se “një profesor i njohur nga Shqipëria do t’ju tregojë se si arritjet moderne mjekësore mundësojnë rikthimin e shikimit në vetëm një muaj pa dalë nga shtëpia dhe si të ktheni shikimin e qartë përgjithmonë, duke shmangur verbërinë.”
Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.
Artikulli reklamë, për t’i dhënë më shumë besueshmëri vetes, është i ndërtuar si një intervistë me farmacistin shqiptar Ylli Merja.
Megjithatë, një kërkim i thjeshtë me fjalë kyçe zbulon se Merja nuk ka folur ndokund për këtë produkt.
E tërë intervista, ashtu si dhe faqja, është e stisur me qëllim shitjen e një produkt që pretendohet se rikthen shikimin për vetëm 3900 lekë.
Çuditërisht, faqja nuk liston përbërësit e produktit, por thekson vetëm se ato janë natyralë.
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.