Asnjë bimë nuk mund ta shërojë kancerin për 16 orë, siç pretendohet nga portalet. Artikuj të tillë janë jo vetëm burim dizinfomimi, por edhe rrezikojnë jetën e lexuesve, të cilët mund të marrin produkte të tilla pa u konsultuar me mjekët specialistë.
————————————————————————————————————-
Ka shumë këshilla online për medikamente apo trajtime çuditbërëse, por njëra prej tyre ka thyer çdo rekord: shërimi i kancerit brenda disa orësh. “Bima që shëron kancerin për 16 orë! Pelini i ëmbël”, shkruan portali Kuzhinat.com.
Screenshot, artikulli i publikuar nga portali Kuzhinat.com
Në artikull, portali i referohet një studimi të botuar në revistën “Life Science”, mirëpo nuk ka asnjë link të përfshirë në lajm, për të vërtetuar një pretendim të tillë. Më tej, në shkrim theksohet se: “Nëse bima përdoret e vetme, shkakton reduktim të rreth 28 për qind të qelizave të kancerit të gjirit, por në kombinim me hekur pelini i ëmbël ia ka dalë që ta fshijë kancerin pothuajse në tërësi”. Shkrimi nuk është i bazuar në asnjë fakt apo studim shkencor dhe ndaj “Faktoje” vendoi të bëjë një verifikim të tij.
Gjatë një kërkimi të bërë me fjalë kyçe tek revista “Life Science” nuk rezulton të ketë një artikull të tillë. Në këtë revistë janë një sërë shkrimesh në lidhje me bimën “Artemisia annua” ose pelini i ëmbël. Sipas artikujve të botuar në këtë revstë, pelini i ëmbël është përdorur tradicionalisht në mjekësinë kineze. Raportohet se është aplikuar dhe pranuar në mbarë botën se ka efekte në terapinë e malaries. Përbërjet e llojit të pelinit të ëmbël janë gjithashtu aktive ndaj sëmundjeve të tjera protozoale ose virale, si dhe ndaj qelizave kancerogjene in vitro dhe in vivo. Megjithatë, nuk thuhet në asnjë moment që kjo bimë shëron kancerin për 16 orë.
E vetmja faqe ku gjetëm një artikull të tillë ku supozohet se: “Artemisinin, e shoqëruar me hekurin, mund të vrasë 98% të qelizave të kancerit të gjirit në 16 orë”, është një faqe për shitjen e preparateve të ndryshme, por nuk ka asnjë referencë shkencore ku e bazon pretendimin.
Për kancerin nuk ka ende një kurë, por ka trajtime që mund të jenë në gjendje të kurojnë disa njerëz nga disa lloje tumoresh.
Lajme të tilla, pa asnjë bazë shkencore janë jo vetëm burim dizinfomimi, por edhe rrezikojnë jetën e lexuesve që mund të kenë pasoja shëndetësore nga përdorimi i produkteve të tilla pa u konsultuar me mjekët specialistë.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin