Qeveria po bën fushatë ndërgjegjësuese për të kursyer energjinë elektrike, në kushtet e krizës globale, duke shpenzuar para. Në fund të shtatorit nisi transmetimi nëpër rrjete sociale dhe televizionet kryesore i një spoti që i ka kushtuar KESH-it rreth 250 mijë euro. Spoti dymujor, vjen në një kohë që familjet presin vendimin e rritjes së çmimit të energjisë për fashën mbi 800 kWh në muaj. Analistë të medias e konsiderojnë këtë propagandë, ndërsa për ekspertët e energjisë fushata me këto shpenzime është shpërdorim i parasë publike.
Esmeralda Topi
“Së bashku me Ministren e Arsimit unë do të nis në datë 14 nga shkollat e Tiranës me një grup të rinjsh dhe të rejash, punonjës të OSHEE-së, të KESH-it, të OST-së, të cilët janë ofruar në mënyrë vullnetare për të dalë në çdo klasë dhe për të ndarë me fëmijët sesi duhet kursyer energjia dhe pse është e rëndësishme sot të kujdesemi për kursimin e energjisë.”- deklaroi gjatë prezantimit të paketës së re të Rezistencës Sociale Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Ministrja Belinda Balluku gjatë prezantimit të Paketës së Rezistencës Sociale (8 shtator 2022)
Fushata sensibilizuese e lajmëruar nga ministrja Balluku nisi nga shkolla “Lasgush Poradeci” në Tiranë për të vijuar me takime në institucione të tjera arsimore në të gjithë vendin. Paralelisht me këtë nismë, qeveria ka ndërmarrë edhe disa hapa të tjerë në kuadër të kursimit të energjisë në kohë krize. Një prej tyre përfshin mediat dhe rrjetet sociale, që ndryshe nga vullnetarizmat e punonjësve nëpër shkolla, shoqërohet me një faturë financiare për buxhetin e KESH-it.
Përmes një procedure prokurimi me negociim, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka paguar 29.144.400 lekë (me tvsh) për një fushatë informuese dhe edukuese të qytetarëve/familjeve mbi përdorimin apo kursimin e energjisë elektrike në kushtet e krizës.
Screenshot nga kontrata e fushatës ndërgjegjësuese mes KESH dhe kompanisë Le Spot
Në dokumentacionin e siguruar nga Faktoje, përmes një kërkese për informacion, KESH sqaron se objektivi kryesor i fushatës është informimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi.
“Informacioni i kësaj fushate do të hyjë në çdo familje shqiptare për të kthyer në vëmendjen e duhur, në përdorimin sa më efiçent të energjisë elektrike në familje apo dhe në ambientet e punës së përditshme.”
Por më shumë se sa informim dhe ndërgjegjësim mbi kursimin e energjisë, spoti që po transmetohet në media dhe rrjete sociale sipas ekspertëve i ngjan propagandës.
“Reklama në vetvete është propagandë e shpërlarë: “Na mbron qeveria, na siguron qeveria”…. Qeveria është menaxhuese e fondeve të taksapaguesve dhe jo Babagjyshi i Vitit të Ri. – komenton për Faktoje analisti Lutfi Dervishi duke shtuar se kriza aktuale dikton nevojën e çeljes së një debati mbi energjinë.
“Si parim në media duhet të ketë një mur të fortë ndarës mes reklamës dhe sektorit të informacionit. Në praktikë, kush bën reklamë fiton imunitet nga praktika. Sot më shumë se për thirrje për kursim ka nevojë për të hapur debatin për energjinë. Dhe ky debat nuk hapet nëse nuk ka një shqyrtim kritik të asaj që ka ndodhur deri më sot.”- vazhdon më tej Dervishi.
Referuar kontratës, spoti dhe materialet e tjera ndërgjegjësuese do të transmetohen në televizione, radio dhe rrjetet sociale në periudhën tetor-dhjetor, kohë e cila përkon me diskutimet mbi rritjen e çmimit të energjisë për familjarët që konsumojnë mbi 800 kwh në muaj. Dhe pjesa e luanit, prej 67.9% e faturës totale shkon për të paktën tre televizionet kryesore në vend, si dhe disa kanale informative.
Screenshot nga kontrata e fushatës ndërgjegjësuese mes KESH dhe kompanisë Le Spot
Për ekspertët e energjisë shpenzimet e Korporatës mbi fushata të tilla informuese janë të tepruara, në një kohë që drejtuesit apo përfaqësuesit e institucioneve të energjisë kanë hapësirë të mjaftueshme mediatike si dhe numërojnë mijëra ndjekës në rrjete sociale.
“Ne kemi rreth 90 mijë persona me aftësi të kufizuar në vend, plus kujdestarët e tyre që do t’u bëhet kompensimi i energjisë elektrike. Për tetraplegjikët ndihma mbështetëse është vetëm 3000 lekë, ndërsa për të verbrit 2400 lekë që për mendimin tim është shumë pak, për të mos thënë qesharake. Nëse fokusi nuk do të ishte propaganda në media apo rrjetet sociale, 290 milion lekë të vjetra që do të shkojnë për këto shërbime do të ishte mirë të shkonin si mbështetje direkte për këtë kategori.” – argumenton Azmer Duleviç për Faktoje, duke shtuar se e gjithë vlera e shpenzuar është shpërdorim i të ardhurave publike pa një justifikim ekonomik dhe me një mesazh të kundërt me atë që përpiqet të propagandojë spoti publicitar.
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e ka mbyllur 6-mujorin e parë të këtij viti me 12 miliardë lekë humbje, në ndryshim nga plani i miratuar ku parashikohej fitim në masën 667.7 mln lekë. Është e vërtetë që kjo situatë ka ardhur si pasojë e rritjes së shpenzimeve për blerje energjie nga ana e KESH, ndaj nisur nga kjo gjendje KESH mund t’ia kishte kursyer vetes këto para.” – përfundon komentin e tij Duleviç.
Por fatura financiare e kësaj fushate nuk është i vetmi problem. Për të zhvilluar fushatën ndërgjegjësuese të kursimit të energjisë, KESH ka ndjekur procedurë me negociim pa shpallje të njoftimit të kontratës, bazuar mbi një vendim të Këshillit të Ministravë nr 1195, datë 05.08.2008.
Screenshot nga kontrata e fushatës ndërgjegjësuese mes KESH dhe kompanisë Le Spot
Nga verfikimi që ne i bëmë bazës ligjore rezulton se Korporata ka shkelur një pikë të procedurës, që lidhet me transparencën. Konkretisht, pika 9 e VKM-së citon se ftesa për negociata duhet të shpallet edhe në faqen e internetit të institucionit. Por në faqen zyrtare të KESH nuk është publikuar ende ftesa për negociimin.
Screenshot nga VKM nr 1195. datë 05.08.2008
Një tjetër hap në kuadër të kursimit, qeveria e ka ndërmarrë me anë të aktit normativ, i cili parashikon ndër të tjera uljen me 15% të konsumit të energjisë nga institucionet publike. Po ashtu, me hyrjen në fuqi të këtij akti normativ, do të nisë ndërprerja e ndriçimit në çdo rrugë ndërqytetase kryesore dhe dytësore pas orës 22:00.
Screenshot nga Akti Normativ për marrjen e masave të veçanta gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike
Gjithashtu do të ndërpritet ndriçimi i jashtëm i godinave publike, i objekteve të kulturës, monumenteve, shesheve dhe shatërvaneve. Institucioneve shtetërore iu ndalohet përdorimi i ajrit të kondicionuar në temperaturë më të ulët se 27 gradë gjatë verës dhe më të lartë se 21 gradë gjatë dimrit. Akti Normativ nuk do të jetë i zbatueshëm per institucionet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, shkollat, kopshtet, komisariatet e policisë dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.