.

.

BallinaBurokraciKërkesat për transparencën e rindërtimit, kthehen në ping-pong delegimesh mes institucioneve përgjegjëse

Kërkesat për transparencën e rindërtimit, kthehen në ping-pong delegimesh mes institucioneve përgjegjëse

Në mes të muajit shkurt Faktoje iu drejtua Ministrisë së Rindërtimit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me kërkesa zyrtare për informacion për detajimin e planit buxhetor dhe realizimin për pagesat e kryera në nivel projekti, sipas Vendimeve të Këshillit të Ministrave për procesin e rindërtimit. Më shumë se një muaj pas këtyre kërkesave, kur kanë hyrë në lojë edhe 11 bashki dhe FSHZH si njësitë zbatuese të projekteve, Faktoje ka marrë përgjigje nga më pak se gjysma e institucioneve. Pjesa tjetër e tyre vazhdon ping-pongun e delegimeve të shkresave, duke iu shmangur detyrimit që rrjedh nga “Ligjit për të drejtën e Informimit 119/2014”.


Më 16 shkurt 2021, Faktoje i dërgoi Ministrisë së Shtetit për Rindërtim një kërkesë të detajuar për informacionin, ku kërkuam të dhëna specifike rreth procesit të rindërtimit.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shtetit për Rindërtim, 16 shkurt 2021

Po në këtë datë, i dërguam një kërkesë edhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si institucioni përgjegjës për menaxhimin e sistemit të thesarit dhe atij buxhetor në Republikën e Shqipërisë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 16 shkurt 2021

Një kërkesë me të njëjtën përmbajtje ia dërguam edhe Bashkisë Tiranë, si një prej njësive më të mëdha zbatuese për procesin e rindërtimit. Deri në publikimin e këtij artikulli, kur ka kaluar mbi një muaj e gjysmë Bashkia Tiranë, nuk ka kthyer përgjigje.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë

Më 17 shkurt, Ministria e Shtetit për Rindërtim përmes një përgjigjeje në rrugë elektronike, duke cituar një akt normativ, na sugjeroi që këtë informacion t’ua kërkojmë 11 bashkive si njësi zbatuese në procesin e rindërtimit.

Ndërkohë koordinatorja për informimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë e delegoi kërkesën tonë për informacion në zyrën përkatëse, por deri më sot, nuk kemi një përgjigje.

Më 23 shkurt, Faktoje u dërgoi kërkesë për informacion 10 bashkive të përfshira në procesin e rindërtimit dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese për procesin e rindërtimit jashtë territorit të Bashkisë Tiranë.

Nga 13 institucionet të cilëve iu drejtuam zyrtarisht, vetëm 5 prej tyre na kthyen përgjigje.

1.Institucionet që u përgjigjën 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit

 

Kërkesa për informacion dërguar FSHZH-së

Fondit Shqiptar i Zhvillimit u përgjigj në 11 mars.

Për shkak se përgjigjja ishte e pjesshme, ne e ankimuam atë pranë Komisionerit për Të Drejtën e Informimit, më 24 mars. Sugjerimi i FSHZH që t’i drejtohemi departamentit të thesarit, ishte adresuar nga Faktoje që me kërkesën e parë drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë më 16 shkurt. Në këtë rast, informacioni i kërkuar, megjithëse duhet të jetë i disponuar prej tyre, nuk na vihet në dispozicion as nga njësia zbatuese e buxhetit (FSHZH), as nga institucioni përgjegjës për thesarin dhe buxhetin (MFE). Ndërkohë, ky informacion i kërkuar, në pikat 3,4,5 dhe 6, është themelor për ndjekjen e ecurisë së procesit të rindërtimit në nivel projekti.

Bashkia Durrës

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës 

Pas kërkesës për informacion dërguar më datë 23 shkurt Bashkisë Durrës, morëm përgjigje nga ky institucion më 12 mars.

Bashkia Shijak

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak

Pas kërkesës për informacion dërguar Bashkisë Shijak më 23 shkurt, ne morëm një përgjigje nga ky institucion i qeverisjes vendore më 5 mars. Ky ishte i vetmi institucion që na ktheu përgjigje brenda afatit prej 10 ditësh pune.

Bashkia Kamëz

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Kamëz

Bashkia Kamëz na ktheu përgjigje më 12 mars, për kërkesën që i kishim drejtuar më 23 shkurt.

 

Bashkia Mirditë

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Mirditë

Edhe Bashkia Mirditë i ktheu përgjigje kërkesës së dërguar nga Faktoje, më 25 mars.

2.Institucionet që nuk u përgjigjën

Bashkia Tiranë

Bashkia Tiranë nuk i është përgjigjur kërkesës së dërguar nga Faktoje më 16 shkurt dhe për këtë arsye u ankimua pranë Komisionerit për Të Drejtën e Informimit më 26 mars.

Bashkia Kurbin

As Bashkia Kurbin nuk i ka kthyer përgjigje kërkesës sonë për informacion të dërguar më 23 shkurt. Edhe këtë institucion e ankimuam pranë Komisionerit më 24 mars.

Bashkia Lezhë

Bashkia Lezhë gjithashtu nuk ktheu përgjigje për kërkesën për informacion të datës 23 shkurt, ndaj Faktoje e ankimoi edhe këtë institucion sipas ligjit për të drejtën për informim.

Më 29 mars, nëpërmjet një bisede telefonike, zyra e Komisionerit për Të Drejtën e Informimit na bëri me dije se koordinatori i informimit për Bashkinë Lezhë ishte ndryshuar, arsye për të cilën na duhej ta ridërgonim kërkesën tonë për informacion. Më 29 mars, ne e ridërguam kërkesën në Bashkinë Lezhë, dhe aktualisht jemi në pritje të përgjigjes.

Bashkia Rrogozhinë

Për kërkesën për informacion të dërguar më 23 shkurt, koordinatori për të drejtën e informimit në Bashkinë Rrogozhinë na bëri me dije, se ia kishte përcjellë zyrës përkatëse.

 

Ekzaktësisht një muaj më vonë, më 24 mars, Faktoje e ankimoi këtë kërkesë tek Komisioneri, pasi Bashkia Rrogozhinë ende nuk na ka kthyer një përgjigje.

Bashkia Vorë

Edhe Bashkia Vorë nuk i ka kthyer përgjigje kërkesës për informacion dërguar më 23 shkurt. Më 24 mars, Faktoje e ankimoi pranë Komisionerit.

 

Më 29 mars, nëpërmjet një bisede telefonike, zyra e Komisionerit për Të Drejtën e Informimit na bëri me dije se personi në adresën e të cilit kishim dërguar kërkesën nuk ishte më koordinatori për të drejtën e informimit për Bashkinë Vorë. Meqë Bashkia Vorë aktualisht nuk ka një faqe zyrtare në internet, kërkesën e dërguam me postë. Jo vetëm kjo, por për shkak se Bashkia Vorë aktualisht nuk kishte një faqe zyrtare, na duhej që kërkesën zyrtare ta dërgonim me postë.

Bashkia Krujë

Faktoje e ankimoi edhe Bashkinë Krujë më 24 mars, pas më shumë se një muaj pa përgjigje për kërkesën e dërguar më 23 shkurt.

Bashkia Kavajë

Bashkia Kavajë gjithashtu nuk i ktheu përgjigje kërkesës sonë të datës 23 shkurt, arsye për të cilën e ankimuam pranë Komisionerit më 24 mars.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Ende nuk na ka mbërritur një përgjigje edhe për kërkesën që i kemi dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë më 16 shkurt. Për këtë arsye, më 24 mars ne e ankimuam edhe këtë institucion pranë Komisionerit.

Deri në publikimin e këtij artikulli, më pak se gjysma e institucioneve, (5 nga 13), i kanë kthyer përgjigje kërkesës sonë për informacion në lidhje me procesin e rindërtimit. Pas më shumë se një muaji dhe 14 kërkesave zyrtare, ende nuk e kemi marrë informacionin që kemi kërkuar në funksion të transparencës së këtij procesi. Presim që Komisioneri për Të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së Të Dhënave Personale, të ushtrojë detyrimin për vënien në lëvizje të institucioneve që kanë detyrim ligjor vënien në dispozicion të informacionit të kërkuar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img