Pretendimi: Një dokument i bërë publik nga Wikileaks konfirmon se ShBA ka shkatërruar një bazë aliene në Hënë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se një dokument i bërë publik nga Wikileaks konfirmon se ShBA ka shkatërruar një bazë aliene në Hënë.

Meqënëse postimi i mësipërm nuk përmban dokumentin në fjalë, Faktoje vendosi ta gjejë vetë.

Duket se ky pretendim e ka zanafillën nga një skedar brenda “Dosjeve të Inteligjencës Globale” të Wikileaks. Ky skedar, i renditur si nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, mbante titullin, “Raporti që BS ka shkatërruar bazën sekret të ShBA në Hënë”. Por, asnjë kopje dixhitale nuk mund të shkarkohej, pasi një version elektronik nuk ishte i disponueshëm.

The Black Vault, një faqe interneti që përmban një arkiv të dokumenteve të deklasifikuara qeveritare, arriti ta merrte dokumentin e plotë nga burime zyrtare me anë të një kërkese për informacion.

Dokumenti i plotë ishte thjesht një letër përgjigje ndaj një hetimi të vitit 1979 nga anëtari i atëhershëm i Dhomës së Përfaqësuesve Samuel Devine. 

Sipas letrës dërguar Devine, Douglas J. Bennett, Jr., Ndihmës Sekretari për Marrëdhëniet e Kongresit me Departamentin e Shtetit, i ishte përgjigjur atij duke thënë se thashethemet se Bashkimi Sovjetik “shkatërroi një bazë sekrete amerikane në hënë në 1977,” nuk ishin të vërteta. Qartësisht, Devine kishte marrë një letër nga një zgjedhës me emrin Ceyd Quentin Arbogast, i cili pyeti për atë që ai e quajti “Beteja e Hënës së Korrjes”.

Gjeni tekstin e plotë të përkthyer më poshtë:

“24 janar 1979 

I nderuar zoti Devine: 

Kam marrë pyetjen tuaj të datës 11 janar në lidhje me shqetësimin e zgjedhësit tuaj, zotit Ceyd Quentin Arbogast, mbi një raport që Bashkimi Sovjetik shkatërroi një bazë sekrete të ShBA në Hënë në vitin 1977, një veprim që thuhet se përmendet si “Beteja e Hënës së Korrjes”. 

Sigurisht, pyetja e zotit Arbogast për shkatërrimin sovjetik të një baze sekrete hënore të ShBA është një nga më të veçantat që kemi marrë në ca kohë. Ju lutem sigurojeni atë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur kurrë bazë sekrete në Hënë, Bashkimi Sovjetik nuk e ka sulmuar atë trup qiellor në asnjë mënyrë dhe nuk ka patur asnjë betejë të Hënës së Korrjes. 

Sinqerisht, 

Douglas J. Bennet, Jr. 

Ndihmës Sekretari për Marrëdhëniet me Kongresin”