Pretendimi: SHBA rendit Shqipërinë mes 13 vendeve të rrezikshme për pushime
Vlerësimi: Mungon konteksti
Disa media në Shqipëri shpërndanë një lajm ku pretendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë renditur Shqipërinë mes 13 vendeve të rrezikshme për pushime.
“SHBA-të paralajmërojnë për “dhunë të synuar që lidhet me rrjetet e paligjshme të drogës dhe krimin e organizuar në të gjithë vendin”. – kështu shkruajnë portalet të cilat këtë lajm e kanë shpërndarë edhe në rrjete sociale duke marrë qindra reagime.





Në pamje të parë duket sikur Shtetet e Bashkuara kanë krijuar një listë me 13 vende në botë që i konsideron të rrezikshme për pushime për qytetarët e saj dhe në këtë listë është përfshirë edhe Shqipëria.
Në fakt e vërteta qëndron ndryshe.
Departamenti i Shtetit Amerikan në mënyrë periodike krijon raporte me këshilla udhëtimi për qytetarët e saj, ku përshkruan rreziqe te mundshme dhe rekomandon masa. Ky vlerësim bëhet për të gjithë shtetet e botës, të cilët kategorizohen sipas 4 niveleve nga DASH.
Niveli 1 tregon se vendet janë të sigurta, ndërsa ne nivelin 4 përfshihen vendet ku SHBA i sugjeron qytetarëve të saj të mos i vizitojnë për shkak të pasigurisë.
Shqipëria është përfshirë në nivelin 2 në këtë listë.
Vendet e nivelit të dytë vlerësohen nga DASH si shtete ku qytetarët amerikanë duhet të tregojnë kujdes për rreziqe ndaj sigurisë së tyre. Në rastin e Shqipërisë, raporti i DASH përcakton se shtetasit amerikanë duhet të “tregojnë kujdes të shtuar për shkak të krimit”.
Përmbledhje e Vendit: Aftësia e forcave ligjzbatuese për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët është e kufizuar në disa zona, veçanërisht në rajonet e largëta. Ka pasur dhunë të targetuar të lidhur me rrjetet e paligjshme të drogës dhe krimin e organizuar në të gjithë vendin. Udhëtarët duhet të mbeten të vetëdijshëm për mjedisin përreth dhe shtrirjen e policisë dhe shërbimeve të emergjencës në zonën e tyre. – shkruan raporti.
Shtete të tjera të kësaj liste, që janë vlerësuar në nivelin 2 si Shqipëria janë Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Turqia, Belgjika, si dhe Kosova, Bosnje Hercegovina dhe Serbia.
Nëse i referohemi listës me 44 vende të kontinentit europian, në nivelin 2 të sigurisë DASH liston 16 shtete. Rusia dhe Ukraina kategorizohen në nivelin 4, sipas të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit i sugjeron shtetasve amerikanë të mos udhëtojnë drejt këtyre vendeve.
Raportet për shtete që kategorizohen në nivelin e parë apo të dytë përditësohen nga DASH çdo 12 muaj.
Praktika e publikimit të raporteve të vlerësimit për sigurinë e shteteve të ndryshme nuk praktikohet vetem nga SHBA-ja. Kanadaja dhe disa vende evropiane si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë lëshuar këshilla udhëtimi për SHBA-në. Edhe pse pjesa më e madhe e këtyre vendeve nuk kanë specifikojnë pse Amerika është shtuar në listën e tyre për paralajmërim për kujdes, koha kur këto këshilla janë publikuar tregon se lidhen me urdhrat ekzekutivë të administratës Trump për imigracionin dhe shtrëngimin e politikave kufitare.