Pretendimi: Kenia del nga OBSh pasi një vaksinë kundër hepatitit rezultoi të ishte një agjent sterilizues
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se Kenia është tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) sepse “në 2014 një rend vaksinues kundër hepatitis ishte në realitet një sterilizim i femrave sepse materiali ne vaksinë shkaktonte që qelizat të luftojnë mbetjen e shtatzënijes.”
Postimi shoqërohet me videon e një burri që thotë: “Nuk mund t’i besojmë më OBSh.” Kjo, sepse ai pretendon se gjatë fushatës për çrrënjosjen e tetanozit 2014–2015 në Kenia OBSh përdori një vaksinë për rregullimin e fertilitetit që i bënte gratë sterile.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në video është Wahome Ngare, një obstetër-gjinekolog kenian. Ngare njihet si kritikues i vaksinave.
Video origjinale është postuar në Facebook nga Ngare më 30 maj 2024. Sipas postimit, ai ishte duke folur në një konferencë në Uganda.
Në fjalimin e tij të plotë, i cili u publikua nga Shoqata e Mjekëve Katolikë të Kenias (KCDA) , ai nuk përmendi një tërheqje nga OBSH.
Ngare sqaroi më 30 janar 2025, se megjithëse dëshironte që Kenia të tërhiqej nga OBSh, vërrejtjet e tij në video iu drejtuan presidentit të Ugandës mbi traktatin e pandemisë.
Kërkimet me fjalë kyçe tregojnë se nuk ka patur ndonjë njoftim nga autoritetet keniane për tërheqjen apo edhe konsiderimin e tërheqjes nga OBSh.
Për më tepër, sekretari kryesor i shërbimit publik të Kenias Amos Gatheca u tha mediave vendase më 28 janar 2025, se Kenia do të kërkonte alternativa nëse OBSh tërhiqte fondet e saj.
Ai nuk përmendi një dalje nga organizata. Në vend të kësaj, Gatheca pranoi se OBSh kishte qenë kyç në mbështetjen e sektorit shëndetësor të vendit.
“Trump njoftoi se do të tërhiqte Amerikën nga OBSh. Nuk i dimë ende implikimet e vendimit të tij, sepse ne kemi qenë partnerë. Është diçka për të cilën po mendojmë tani. Ai sapo nënshkroi urdhrin ekzekutiv dhe siç e keni parë, bota po i kërkon të qëndrojë,” tha Gatheca. “Amerika na ka ndihmuar më së shumti përmes atij fondi global dhe ne shpresojmë që ajo të mos tërhiqet dhe të vazhdojë të ndihmojë. Nëse del, ne duhet të gjejmë mënyra alternative për të mbajtur veten.”
Vaksinim apo sterilizim?
Ngare gjithashtu pretendoi se gratë keniane u sterilizuan fshehurazi gjatë aksionit në Kenia për vaksinimin e tetanozit.
Në vitin 2013, OBSh bashkëpunoi me qeverinë keniane për të nisur një fushatë vaksinimi për gratë në moshë riprodhuese për të trajtuar tetanozin neonatal.
Pesë vjet më vonë, Kenia pati një arritje të rëndësishme – vendi u konsiderua se kishte eliminuar tetanozin e nënës dhe neonatal. OBSh e përcakton eliminimin si reduktimin e rasteve të tetanozit neonatal në më pak se 1 në 1000 lindje të gjalla në vit.
Programi ishte gjithashtu shënjestër e pretendimeve se po përdorej fshehurazi për sterilizime masive.
Megjithatë asnjë provë bindëse se kjo është e vërtetë nuk ka dalë ende.
Në vitin 2014, OBSH dhe UNICEF shprehën “shqetësimin e tyre të thellë” mbi pretendimet.
“OBSH dhe UNICEF konfirmojnë se vaksinat janë të sigurta dhe janë blerë nga një prodhues i parakualifikuar,” shtuan ata. “Duke patur parasysh se shumica e rasteve të tetanozit në Kenia janë tek të porsalindurit, objektivi i fushatave të vaksinimit TT në Kenia janë vajzat dhe gratë (15-49 vjeç), me një theks të veçantë në ato në zonat më të margjinalizuara.”
Organizata të tjera shkencore, përfshirë Mjekët Katolikë në të gjithë Botën (FIAMC) mbështetën përpjekjet e OBSH-së për vaksinimin.
“Nëse vaksinat e toksoidit të tetanozit që u janë dhënë miliona grave në shumë vende do të ishin në gjendje të shkaktonin infertilitet, do të kishte të dhëna të shumta demografike për ta konfirmuar këtë. Ne nuk dimë për të dhëna të tilla,” tha FIAMC në atë kohë
Konferenca e peshkopëve të Kenias dhe Ministria keniane e Shëndetësisë formuan një komision të përbashkët, i cili dorëzoi 59 kampionë të vaksinës nga tre vende në dy laboratorë në dhjetor 2014. Tre nga flakonet u gjetën se përmbanin beta HCG (një hormon që pretendohej se do të shkaktonte sterilitet tek gratë). Sipas një deklarate të nënshkruar të 10 janarit të lëshuar nga komisioni i përbashkët, ato tre shishe “u dorëzuan si shishe të hapura që ishin testuar më parë në laboratorë të tjerë”. Një raport laboratorik i 23 janarit i porositur nga komisioni i përbashkët tregoi se tre shishet e hapura që rezultuan pozitive u siguruan nga konferenca e peshkopëve të Kenias.
Deklarata e përbashkët tha gjithashtu: “Të gjitha testet e tjera të 56 shisheve rezultuan negative për beta HCG, përfshirë ato me numra të grupit që korrespondojnë me tre shishkat që rezultuan pozitive”.
Deklarata e përbashkët përfundonte: “Programi rutinë i imunizimit ndaj tetanozit është i sigurt. Fushatat e imunizimit masiv mbeten një ndërhyrje e dobishme e shëndetit publik, por mekanizmat e sigurimit të cilësisë duhet të zbatohen në çdo kohë.”