Pretendimi: Këngëtarja e njohur amerikane Billie Eilish ka deklaruar se përballet me presion nga miliarderë amerikanë pro-Izraelit, të cilët sipas saj po përpiqen të dëmtojnë karrierën e saj për shkak të qëndrimit publik në mbështetje të Palestinës.
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një deklaratë e pretenduar e këngëtares amerikane Billie Eilish se miliarderët amerikanë pro-izraelitë po përpiqen t’i dëmtojnë karrierën si pasojë e mbështetjes së saj për Palestinën.

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk ofron ndonjë provë, burim apo referencë për këtë deklaratë të pretenduar.
Kjo sepse në fakt nuk ka asnjë regjistrim zyrtar, intervistë apo postim në rrjetet sociale ku shfaqet kjo deklaratë.
Ndërsa artistja ka një histori të mbështetjes për Palestinën, pretendimi se miliarderë po përpiqen t’i japin fund karrierës së saj nuk është thënë kurrë prej Eilish.
Në profilin zyrtar të Eilish në Instagram vërehet një mungesë totale e deklaratave të tilla. Eilish është përfshirë gjithashtu në debate mbi këtë temë, por pa përmendur kurrë këtë komplot të supozuar të miliarderëve kundër karrierës së saj.
Në korrik 2025, Eilish e quajti planin e Izraelit për të zhvendosur popullsinë palestineze në Gaza në një kamp “të tmerrshëm,” në një postim në Instagram.

Ndërsa në 2024, Eilish vuri një stemë të Artists4Ceasefire (“Artistët për Armëpushim”) kur eci në tapetin e kuq të Oscar. Sipas organizatës, stema “simbolizon mbështetjen kolektive për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe për shpërndarjen urgjente të ndihmës humanitare për civilët në Gaza”.

Billie Eilish mban një stemë “Artists4Ceasefire”, ndërsa merr pjesë në ceremoninë e 96-të të ndarjes së çmimeve të Akademisë në Teatrin Dolby në Hollywood, Kaliforni, më 10 mars 2024.






