Imazhi i një stacioni karikimi me gjenerator për makinat elektrike po shpërndahet në internet si provë që makinat elektrike nuk shërbejnë në mbrojtjen e mjedisit. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se pajisja në foto është e vetmja e llojit të saj dhe gjendet në mes të shkretëtirës australiane Nullarbor.
———————————————–
Foto e një makine elektrike që karikohet në një stacion që furnizohet nga një gjenerator nafte po qarkullon nëpër rrjete sociale, duke përfshirë edhe ato shqipfolëse, me pretendimin që këto stacione janë “vendosur kudo”.
Ky stacion prezantohet si dëshmi se përdorimi i makinave elektrike në vend të atyre me naftë ose benzinë është një farsë dhe nuk ndikon në mbrojtjen e mjedisit.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Tineye, “Faktoje” zbuloi se ky imazh ishte postuar për herë të parë në internet në vitin 2018.
Foto e mësipërme është pjesë e një artikulli të 14 dhjetorit 2018, nga portali australian për të apasionuarit e makinave elektrike “The Driven”.
Artikulli, i titulluar “Të përdorësh naftë për të karikuar makinat elektrike në shkretëtirë është më ambjentaliste seç mendoni”, përshkruan se si inxhinieri Jon Edwards ndërtoi stacionin e treguar në foto si prototip.
Kjo shpikje lindi nga nevoja dhe dëshira për të udhëtuar tërthor kontinentit australian me makinë elektrike.
Shkretëtira e Nullarbor në Australi është 200 mijë kilometra katrorë. Ajo përshkohet nga autostrada Eyre, një rrugë e drejtë ku për qindra kilometra, përdoruesit e makinave elektrike nuk kanë stacione ku mund t’i karikojnë ato.
Edwards theksoi se një stacion makinash elektrike me gjenerator nafte nuk është zgjidhje përfundimtare, por një zgjidhje e përkohshme deri në momentin kur të jetë financiarisht i mundur instalimi i baterive dhe stacioneve karikuese me energji të rinovueshme, si ajo diellore.
Ndërkohë, në 2021, Edwards e kishte rafinuar projektin e tij, duke e modifikuar që të punojë me biokarburant, që konsistojnë në vajra dhe yndyrna të ricikluara, si vaji i mbetur nga gatimi ose pjesa e dhjamit të kafshëve që nuk përdoret.