Pretendimi: Kanceri mund të shërohet natyralisht, por industria farmaceutike e fsheh këtë për të shitur kimioterapi

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Në hapësirat konspiracioniste vijon të qarkullojë pretendimi se kanceri mund të kurohet me një ndryshim në dietë, dhe se kimioterapia është një mashtrim me qëllim përfitimin.

Si zakonisht, asnjë provë, burim apo referencë nuk sillet për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme dhe me rrezikshmëri për shëndetin e personave që mund t’u besojnë.

Kjo sepse nuk ka prova se një lloj i caktuar diete mund të shërojnë kancerin natyralisht.

Këshilla e dietologëve që keqintepretohet në këtë rast është kujdesi në ushqimet që konsumohen dhe regjimin fizik ditor në mënyrë që të parandalohet krijimi i qelizave kancerogjene. Pra, ushqimi është i rëndësishëm për të parandaluar, por jo një mënyrë trajtimi pasi kanceri ka prekur trupin. 

Mark Nevin, Drejtor Ekzekutiv i organizatës bamirëse australiane Cancer Council, tha për AAP se “ndërsa ka prova të forta se të hash një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar dhe të bësh ndryshime proaktive në dietën tënde, siç është ulja e konsumit të sheqerit, shmangia e ushqimeve të shpejta dhe ngrënia e perimeve, mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të kancerit, nuk ka prova që mbështesin pohimin se këto ndryshime në dietë janë efektive në trajtimin e kancerit.”

Sipas Cancer Council, njerëzit me kancer duhet të hanë një dietë të mirë-balancuar në mënyrë që të mbajnë peshën gjatë trajtimit. Nuk ka një dietë të veçantë që mund të “shërojë kancerin” dhe nuk ka prova se ndjekia e një diete strikte do të përbënte ndonjë avantazh.

Keqinformimi në lidhje me metodat e parandalimit dhe trajtimit të kancerit përbën një kërcënim të tërthortë për shëndetin, pasi mund t’i bëjë pacientët të vonojnë ose të refuzojnë trajtimet klinikisht të provuara që shpëtojnë jetën, siç janë kimioterapia dhe rrezatimi.

Kimioterapia shpëton jetën e qindra mijëra njerëzve në mbarë botën. Rreziku i vdekjes nga ndërlikimet pas trajtimit është shumë i vogël dhe përfitimet (shërimi i sëmundjes, zgjatja e jetës) i tejkalojnë çdo ndërlikim të mundshëm.

Dr. Orges Spahiu, Shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik, QSUT, tha për Faktoje se: “Trajtimet e bazuara tek evidencat shkencore janë ato që sigurojnë trajtimin efektiv të kancerit. Avancimet e shkencës në fushën e Radioterapisë, Kimioterapisë dhe Kirurgjisë kanë siguruar sot një shërueshmëri të konsiderueshme që për disa lloje tumoresh arrin deri në 99% në varësi dhe të stadit të sëmundjes”. 

Doktor Spahiu thotë gjithashtu se dy terapitë kryesore të provuara shkencërisht dhe të çertifikuara ndërkombëtarisht për të luftuar tumoret janë radioterapia dhe kimioterapia. E para përdor rrezatime me energji të ndryshme për të eleminuar qelizat tumorale, duke shmangur në maksimum indet dhe organet e shëndosha përreth. Ndërsa kimioterapia konsiston në barna antitumorale, të cilat nëpërmjet gjakut udhëtojne në gjithë trupin duke luftuar qelizat kanceroze.

Në fund, doktori nuk harron këshillën kryesore për të gjithë lexuesit: “Drejtohuni tek mjeku për çdo shqetësim apo dyshim që keni, dhe mos u beni pre e alternativave të gënjeshtërta. Kurat e kësaj sëmundje janë vetëm ato të provuara shkencërisht”.