Pretendimi: Kanadaja ka hequr Palestinën nga lista e vendlindjeve në pasaportat e reja.
Verdikti: Mungon konteksti
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se Kanadaja “po fshin identitetin palestinez” duke e hequr mundësinë për të vendosur Palestinën si vendi i lindjes në aplikimin për pasaportë, dhe duke vendosur në vend të saj “asnjë vend origjine”.
Video është postuar fillimisht në TikTok, më 23 shkurt, nga përdoruesja Blair from Canada. Në të, ajo përshkruan se shërbimet e lëshimit të pasaportave kanadeze i thanë gjyshes së saj se nuk mund të vendoste Palestinën si vendi i saj i lindjes, megjithëse kjo mundësi ekzistonte më parë. Në video tregohet gjithashtu se Palestina nuk përfshihet në listën e vendeve të origjinës në formularin e aplikimit për pasaportë online.
Sipas CBC News, “një gabim sekretarial” nga ana e qeverisë kanadeze u bë shkas që një gruaje palestino-kanadeze t’i thuhej gabimisht se nuk mund të vendoste Palestinën si vendlindje në pasaportën e saj të re.
Në të vërtetë, formulari i aplikimit për pasaportë të re nuk e liston Palestinën si një mundësi e paraprogramuar për vendin e lindjes.
Megjithatë, departamenti qeveritar për emigracionin, refugjatët dhe nënshtetësinë në Kanada shpjegoi për Logically Facts se “nëse aplikanti ka lindur përpara 14 majit 1948 dhe kërkon Palestinën si vend i tyre i lindjes, mund ta vendosin duke zgjedhur opsionin ‘Tjetër’ në formular, dhe duke shkruar Palestinë në fushën e duhur.”
I njejti shpjegim erdhi edhe nga Ministri kanadez i Emigracionit, Refugjatëve dhe Nënështetësisë, Marc Miller, i cili postoi në Twitter më 27 shkurt se “nuk ka patur ndryshime të reja në listën e vendeve të disponueshme në formularin e aplikimit për pasaportë kanadeze.”
Në 2006, një gjykatë federale në Kanada deklaroi se “sa i përket Palestinës, Jordanisë, Rripit të Gazës, Izraelit dhe Jeruzalemit, Kanadaja ka adoptuar një politikë të veçantë.” Sipas kësaj politike, personat që kanë lindur përpara 14 majit 1948 (krijimi i shtetit të Izraelit) mund të vendosin Palestinën, në vend të Jeruzalemit, si vend i lindjes. Personat që kanë lindur pas 14 majit 1948, megjithatë, nuk mund të vendosin Palestinën si vendin e lindjes, por duhet të zgjedhin mes Jordani, Izrael, Rripi i Gazës dhe Jeruzalem sipas rastit.