KLEVIS PALOKA
Në jugperëndim të liqenit të Ohrit, mbi qytetin e Pogradecit, në një kodër rreth 200 metra të lartë ndodhet Kalaja e Pogradecit e cila është një prej kalave më të vjetra të Shqipërisë. Ky monument 1400 vjeçar është objekt me “status monument kulture, kategoria e parë, shpallur me Vendim nr.6, datë 15.01.1973, të Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, dhe Vendim nr.1886, datë 10.06.1973, të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës ”. Kjo kala e cila sot përdoret si një objekt me destinacion kulturor ka në gjendje aktuale vetëm një trakt muri, rreth 0.50 m i lartë, në anën perëndimore të majës së kodrës.
Në lidhje më këtë kala, “Faktoje” u interesua fillimisht pranë bashkisë së Pogradecit pasi ky objekt ndodhet në territorin e saj dhe kërkuam të dinim nëse është bërë ndonjë investim apo nëse është parashikuar për të ardhmen ndonjë projekt mbi këtë monument të trashëgimisë kulturore. Përgjigja e këtij insitucioni ishte: “Bashkia Pogradec nuk ka një projekt konkret për rehabilitimin e kalasë pasi si institucion nuk mund të kryejmë ndërhyrje në ato monumente që janë shpallur monument kulture nga Ministria e Kulturës ”. Gjithashtu në përgjigjen e Bashkisë theksohet se nuk ka pasur asnjë investim apo premtim mbi rehabilitimin e Kalasë.
Për të marrë përgjigje më të detajuara, dërguam kërkesë për informacion edhe tek Ministria e Kulturës e cila si institucioni përgjegjës për këtë kala 1400 vjeçare na konfirmoi gjithashtu se për të dhe në të nuk është bërë asnjë investim.
Në sqarimin e këtij institucioni thuhet konkretisht: “Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk ka hartuar dhe miratuar asnjë projekt lidhur me rehabilitimin e Kalasë së Pogradecit ”.
Cilësuar si monument kulture i kategorisë se parë, Kalaja e Pogradecit ashtu si edhe shumë monumente të tjera të ngjashme në mbarë vendin, duhet të ishte në vemendjen e strukturave shtetërore për ta restauruar apo rijetëzuar atë. Kësisoj këto monumente do t’i shpëtonin degradimit dhe do të mund të shërbenin jo vetëm si një atraksion turistik por edhe për studentë të arkitekturës për të kuptuar më mirë dhe më shumë për këto ndërtime që datojnë mijëra vjet më parë. Shqipëria, cilësuar si një vend me trashëgimi të pasur kulturore nuk do të duhej të ‘’braktiste’’ të tilla monumente kulture përsa i përket investimeve për restaurime. Në qindra- mijëra monumente kulture të kategorisë së parë në vend, fatkeqësisht vetëm një pjesë kanë qenë në prioritetet e institucioneve përkatëse për mirëmbajtjen e tyre.