Kaja Kallas nuk po hetohet nga CIA për korrupsion në Ukrainë

14

Pretendimi: CIA po heton një skandal korrupsioni në Ukrainë, që përfshin edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas

Vlerësimi: E pavërtetë

Jona Cenameri

Portali shqiptar Mast.al publikoi në 24 nëntor një artikull që pretendon se CIA dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve po hetojnë shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas për zhdukjen e 48 miliardë eurove ndihmë të dhënë Ukrainës. Kjo sepse një pjesë e këtyre fondeve është zhvendosur, sipas artikullit, në llogari bankare në Estoni, vendin e origjinës së Kallas. 

Artikulli i portalit sugjeron gjithashtu se paratë janë përvetësuar në mënyrë të koordinuar nga zyrtarë ukrainas dhe europianë dhe se hetimi përfshin edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Verifikimi i këtij pretendimi tregon se lajmi është i pavërtetë, nuk bazohet në asnjë burim të besueshëm dhe keqinterpreton informacionet e raportuara nga mediat serioze ndërkombëtare.

Shifra prej 48 miliardë eurosh nuk ekziston në asnjë dokument apo raport të CIA-s, Departamentit të Shtetit apo Mbrojtjes, Bashkimit Europian dhe Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-ve. Dokumentet publike të këtyre institucioneve nuk përmbajnë asnjë deklaratë, njoftim apo paralajmërim për një hetim të përmasave të tilla dhe as ndonjë referencë që lidhet me përvetësimin e fondeve nga zyrtarë europianë. 

Në të gjitha rastet, institucionet amerikane flasin për auditime dhe mbikëqyrje të zakonshme të fondeve të ndihmës, një proces rutinë që kryhet në çdo vend përfitues, pa asnjë element skandali apo dyshimi penal.

Skandali i dokumentuar publikisht së fundi lidhet me një skemë korrupsioni me rreth 100 milionë dollarë, në sektorin e energjisë në Ukrainë, i raportuar nga media serioze ndërkombëtare si Reuters, BBC, Deutsche Welle, Al Jazeera, Le Monde, NBC News dhe Politico Europe.

Sipas raportimeve të tyre, zyrtarë të kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom, së bashku me ish-ministra dhe biznesmenë të afërt me pushtetin, dyshohet se kanë manipuluar kontrata dhe kanë përfituar rreth 100 milionë dollarë përmes një skeme të pastrimit të parave. Hetimi, i njohur si “Operacioni Midas”, ka zgjatur 15 muaj, dhe është zhvilluar nga Byroja Kombëtare e Antikorrupsionit të Ukrainës (NABU), duke përfshirë rreth një mijë orë përgjime dhe dhjetëra kontrolle. Hetimi ka çuar në ngritjen e akuzave ndaj tetë personave, ndërsa ministri i drejtësisë Herman Halushchenko dhe ministrja e energjisë Svitlana Hrynchuk kanë dhënë dorëheqjen me kërkesë të presidentit Zelensky, si “çështje besimi” përballë ndjekjes penale. Në asnjë prej këtyre raportimeve nuk përmendet Bashkimi Europian, Estonia apo Kaja Kallas.

As figura e Kallas, as ndonjë zyrtar europian nuk figurojnë në listën e personave të hetuar në këtë dosje. Emrat që përmenden publikisht në media ndërkombëtare janë zyrtarë ukrainas si German Galushchenko, Ruslan Grynchuk, biznesmeni Timur Mindich dhe persona të tjerë të lidhur me sektorin e energjisë. Asnjë prej tyre nuk ka lidhje me BE-në, Estoninë apo Kaja Kallas. Pretendimi që e lidh këtë skandal me BE-në është i pabazuar dhe nuk gjen asnjë mbështetje në burime të pavarura.

Pjesa tjetër e pretendimit i atribuohet Larry C. Johnson, një ish-analist i CIA-s që e ka lënë agjencinë në vitin 1993. Sigurisht, që deklaratat e dikujt që ka lënë agjencinë e sigurisë dekada më parë nuk mund t’i atribuohen CIA-s. Sipas profilit të tij zyrtar në Wikipedia, Johnson njihet për përhapjen e disa prej teorive të rreme dhe dezinformimeve më të njohura në dekadat e fundit. Ai është autori i mashtrimit të vitit 2008 për ekzistencën e një videoje të Michelle Obama-s që asnjëherë nuk ka ekzistuar dhe burimi i pretendimit të rremë se inteligjenca britanike GCHQ spiunoi Donald Trump gjatë fushatës së vitit 2016, pretendim i përgënjeshtruar publikisht edhe nga Fox News. Johnson ka mbrojtur hapur qëndrime pro-Kremlinit, është cituar gjerësisht nga media ruse si Sputnik, RIA Novosti dhe Izvestia, dhe në vitin 2025 u ftua nga Ministria e Jashtme e Rusisë për të intervistuar Sergey Lavrov, duke konfirmuar lidhjet e tij me propagandën ruse.

Ndërkohë, institucionet amerikane kanë njoftuar publikisht vetëm kryerjen e auditimeve rutinë për monitorimin e ndihmës së dhënë Ukrainës. Këto auditime nuk lidhen me ndonjë skandal financiar, nuk implikojnë zyrtarë të BE-së dhe nuk përfshijnë deri më tani asnjë akuzë ndaj Kaja Kallas apo ndonjë zyrtari europian. Pretendimi se paratë janë transferuar në llogari bankare në Estoni është gjithashtu i pabazuar dhe nuk mbështetet nga asnjë burim zyrtar.

Në këto rrethana, pretendimi se CIA po heton një skandal prej 48 miliardë eurosh që përfshin Kaja Kallas rezulton i pavërtetë. Lajmi i portalit është ndërtuar mbi një deklaratë të vetme të një individi të diskredituar dhe pa asnjë mbështetje faktike. Hetimi real për korrupsion në Ukrainë ka përmasa shumë më të vogla, përfshin vetëm zyrtarë ukrainas dhe është raportuar hapur nga institucionet e tyre dhe mediat ndërkombëtare serioze. Kaja Kallas nuk është nën hetim nga asnjë institucion dhe nuk ekziston asnjë provë që e lidh me ndonjë aferë financiare.

Bëhet fjalë për një tjetër rast ku një lajm ndërkombëtar është shtrembëruar qëllimisht, është fryrë dhe është paraqitur si “skandal global”, duke përdorur CIA-n për t’i dhënë kredibilitet një narrative të pavërtetë. Për këtë arsye, Faktoje e vlerëson këtë pretendim si dezinformues.