Nuk mund të ndodhte ndryshe. Një bisedë në podcast e profesorit Yuval Noah Harari lidhur me arsyet përse qytetarët amerikanë i besojnë teoritë konspirative Qanon, është interpretuar si thirrje për “eleminimin e konspiracionistëve të rrezikshëm”. Një verifikim i Faktoje tregon se në të vërtetë pretendimi është plotësisht i pabazë.
Jona Plumbi
“Zyrtari kryesor i Forumit Ekonomik Botëror, ose shefi i insekteve, Juval Harari, tha: “Teoricionët e rrezikshëm të konspiracionit duhet të eleminohen”, – kështu nis postimi në rrjetin social Facebook, i cili i bën jehonë një lajmi të shpërndarë më herët në gjuhë të huaj.
Pretendimi u ngrit për herë të parë nga një televizion amerikan i quajtur “Zëri i Qytetarëve” (The Peoples Voice) që njoftoi se ‘një zyrtar i lartë i WEF ka thënë se teoricienët konspirativë duhet të eleminohen’.
“Një zyrtar i lartë i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) ka bërë thirrje që të ashtuquajturit “teoricienë konspirativ” t’u ndalohet qasja në internet për shkak të besimit të tyre “të rrezikshëm” se një grupim global elitash kontrollojnë botën.” – shkruan The Peoples Voice.
Harari i referohet besimtarëve të teorisë konspirative Qanon, që pretendon ndër të tjera se ekziston një grupim satanist elitash në të gjithë globin, të cilët janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar trafikimi fëmijësh.
“Gjatë një bisede në podkastin e Lex Fridman, Harari vuri në dukje se Bota është “shumë komplekse” që njerëzit e fuqishëm ta kontrollojnë atë”, – vijon artikulli i The Peoples Voiceduke zbardhur pjesë të intervistës.
Edhe pse artikulli citon pjesë të bisedës së Hararit, në asnjë nga citimet e përmendura nuk lexohet pretendimi i ngritur nga artikulli, se konspiracionistët duhen eleminuar.
Në fakt,biseda është publike dhe gjendet në YouTube e plotë dhe kushdo mund ta dëgjojë atë që Harari ka thënë. Jo vetëm kaq, por biseda që ishte rreth 3 orë e gjatë, është zbardhur në faqen zyrtare të Lex Fridman, drejtuesit të podcastit.
Në asnjë moment të bisedës, Harari nuk flet për eleminimin e teoricienëve konspirativë. I pyetur nga drejtuesi i podcastit për teoritë konspirative, Harari jep shpjegimin e tij përse 37% e amerikanëve i besojnë teorisë se një grupimi elitar që “tërheq fijet” e botës.
Harari shpjegon se sipas tij arsyeja përse kjo formë e teorive konspirative është e besueshme lidhet me faktin se ajo e bën të kuptuarit e Botës shumë të thjeshtë. “Nuk është e nevojshme të kuptoni gjithçka që ndodh në Botë, mjafton të kuptoni një gjë. Lufta në Ukrainë, konflikti izraelit/palestinez, teknologjia 5G, COVID-19; e thjeshtë, ekziston ky grupim elitar global. Ata i bëjnë të gjitha”, – tha Harar.
Njëkohësisht, këto teori krijojnë edhe një formë fantazie utopike, vijon historiani, sipas të cilës mjafton të heqësh qafe këtë grup elitash global dhe zgjidhen të gjitha problemet e Botës. “Konflikti izraelito-palestinez, lufta në Ukrainë, epidemitë, varfëria, gjithçka zgjidhet vetëm duke rrëzuar këtë grupim të vogël”, – shprehet Hrari.
Kjo deklaratë është nxjerrë nga konteksti në artikullin e The Peoples Voice, por deri në momentin që artikulli u hoq nga rrjeti, pretendimi u shpërnda me shpejtësi.
Gjithashtu, pretendimi se Harari është një zyrtar i lartë i Forumit Ekonomik Botëror është i pavërtetë. Yuval Noah Harari është historian, filozof dhe autor librash bestseller. Ai ka mbajtur fjalime në takime të World Economic Forum por nuk është pjesë e këtij forumi.
Nisur nga këto të dhëna dalim në përfundimin se pretendimi i shpërndarë është i pavërtetë.