Pretendimi: Video qe tregon pushtimin e Palestines nga Izraeli nepermjet bregdetit.

Verdikti: I pavërtetë

Vjolanda Peca

Në rrjete sociale ka qarkulluar një video që përshkruan pushtimin e Palestinës nga Izraeli. Kjo video tregon forcat izraelite që vijnë nga deti dhe pushtojnë territorin palestinez gradualisht, deri në vitin 2023.

Megjithatë, kjo video nuk përfshin historikun e vërtetë të pushtimit të Palestinës pasi ajo nuk është pushtuar nga bregdeti. Në realitet, izraelitët nuk u shfaqën në bregdet në vitin 1948.

Videoja përdor animacion dhe nuk tregon vërtetë sesi Izraeli ka pushtuar gradualisht territorin e Palestinës që nga viti 1948, sepse në këto territore ka patur izraelitë shumë më parë se viti 1800, pra përshkrimi i konfliktit në video është imagjinar.

Pak kontekst historik

Kolonizimi i tokave palestineze nisi që në fund të shekullit të 19-të me dy Aaliyah-t, ose siç njihen ndryshe dy valët e zhvendosjes, në 1880 dhe pas 1904. Përmes Fondit Kombëtar Hebre, nisi blerja e tokave palestineze dhe dhënia e tyre kryesisht hebrenjve të Evropës lindore, që në atë periudhë vuanin persekutimet e shumta në vendet e tyre të origjinës.

Pas Luftës së Parë Botërore, territori i Palestinës u bë mandat i Britanisë së Madhe, e cila në vitin 1917, në Deklaratën Balfour, shprehu mbështetjen për krijimin e një shteti hebre në zonën e Palestinës historike.

Një valë tjetër emigrantësh hebrenj erdhi në zonë në vitet 1930, për shkak të shtypjes antisemite në Gjermaninë naziste. Rritja e emigracionit shkaktoi trazira që çuan në Revoltën Arabe. Në vitin 1937, Britania doli me një plan për të ndarë territorin në një shtet hebre dhe një shtet arab, por asnjëra palë nuk ishte e kënaqur me formën e propozimit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë hebrenj mbetën të pastrehë dhe kërkuan strehim në vende të ndryshme, përfshirë Palestinën.

Në vitin 1948 u krijua shteti i Izraelit. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, një koalicion i shteteve arabe sulmoi Izraelin. Në këtë luftë, Izraeli mbrojti ekzistencën e tij dhe fitoi një pjesë të territorit që OKB-ja fillimisht ua kishte caktuar arabëve.

Gjatë këtyre viteve, hebrenjtë morën territorin palestinez dhe e kthyen atë në vendin e tyre dhe palestinezët filluan të dëboheshin ose të vriteshin.

Më 1978 u nënshkrua Marrëveshja e Camp David, kur Izraeli ia ktheu Gadishullin Sinai Egjiptit. Në këmbim, Egjipti njohu ekzistencën e Izraelit si shtet, dhe nënshkroi një traktat paqeje me të. Ishte traktati I parë I paqes mes Izraelit dhe nje shteti arab.

Marrëveshjet e paqes të Oslos u nënshkruan në 1993 dhe 1995, duke krijuar autonominë palestineze në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Megjithatë, statusi përfundimtar i territoreve palestineze ende nuk është negociuar.

Ndryshimet territoriale në Izrael dhe Palestinë

Pra kjo video që përshkruan konfliktin izraelito-palestinez paraqet një zhvillim imagjinar të ngjarjeve. Hebrenjtë erdhën në territorin e Palestinës edhe para krijimit zyrtar të shtetit të Izraelit. Pas shpalljes së pavarësisë së Izraelit në vitin 1948, pati disa konflikte të armatosura që çuan në një sërë ndryshimesh territoriale. Megjithatë, nuk ishte një luftë e vazhdueshme siç tregohet në video.

Ky pretendim është verifikuar nga koleget tanë Demagog.cz