INVA HASANALIAJ
Mes situatës së krijuar nga Covid-19 një prej shqetësimeve kryesore është numri i ulët i testeve të kryera për të identifikuar të prekurit nga ky virus. Shqipëria është vendi që bie në sy për kryerjen e një numri më të ulët testimesh në krahasim me shtetet e tjera në Ballkan. Këtë problematikë “Faktoje” e ka trajtuar edhe më herët. Kryerja e testeve në një masë më të madhe ka një pengesë dhe ajo ka të bëjë me numrin mjaft të kufizuar të tamponëve në dispozicion.
“Faktoje” vendosi të pyesë Institutin e Shëndetit Publik, sesa tamponë ka në dispozicion sot për sot. Në datën 19 mars ne i dërguam institucionit një kërkesë për informacion:
Deri në datën 30 mars dhe nga ky institucion nuk patëm asnjë përgjigje sesa është numri i tamponëve që ka në dispozicion Shqipëria e për rrjedhojë nuk mund të dimë sesa është kapaciteti i testeve që mund të kryhen për të zbuluar rastet e reja me Covid-19. Edhe autoritetet shtetërore e sidomos nga ministria e Shëndetësisë nuk jepen shifra. Vetëm pak ditë para se të shpallej pandemia në datë 10 mars, u publikua se ISHP kishte në dispoizicion 3500 kite. Por sot, kur rastet e të prekurve shtohen dhe OBSH kërkon kryerjen e sa më shumë testimeve, ISHP ende nuk ka një përgjigje, sa kite ka në dispozicion.