BallinaFaktometerPa kategoriAplikimi online për këmbësorët komplikon më shumë liridaljen

Aplikimi online për këmbësorët komplikon më shumë liridaljen

ANXHELA RUÇI

Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë kufizohet e drejta e qytetarëve për të dalë nga shtëpia, në situatën e pandemisë nga COVID-19. Për të lëvizur me automjet privat, personi duhet të marrë autorizim nga policia. Së fundi kryeministri Rama njoftoi se edhe këmbësorëve u duhet autorizim për të dalë nga shtëpia, duke bërë kërkesë përmes e-albania ose telefonit. Por sa e sukseshme është kjo mënyrë? Faktoje bëri një provë për të testuar këto platforma.

————————————————————————————————————————————————————-

Prej më shumë se 3-javësh, për shkak të masave shtrënguese për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, lëvizja e këmbësorëve dhe automjeteve është kufizuar së tepërmi. Personat të cilët duhet të lëvizin për në punë, duhet të aplikojnë pranë Policisë së Shtetit e cila vendos të  japë ose refuzojë autorizimin. Pa këtë autorizim çdokush që kapet duke qarkulluar, ndëshkohet me masë administrative, deri në bllokim patente dhe automjeti.

Kjo praktikë e aplikimit online, has shumë probleme, ku më kryesorja është mosmarrja e aprovimit në kohë.

“Faktoje” ka bërë një kërkesë për të marrë leje për qarkullim të enjten e 26 marsit ndërsa aprovimi për lëvizje ka ardhur të dielën e 29 marsit, pra 3 ditë me vonesë.

Aplikim për leje, 26 mars

Aprovimi i lejes, 29 mars

Vështirësitë e lëvizjes pa aprovim

Nazmiu, i cili duhet të punojë çdo ditë të javës (me përjashtim të së dielës), has përditë të njëjtin  problem. Çdo mbrëmje ai aplikon për të lëvizur me makinën e tij personale nga fshati ku banon, për në vendin e punës, që ndodhet në qytet, rreth 20 km larg.

Aplikuesi merr konfirmimin se kërkesa është dërguar me sukses, por nuk merr asnjë përgjigje nëse aprovohet apo jo kjo kërkesë.

Nazmiu ka debate me policët e qarkullimit rrugor, të cilët sipas rregullave kërkojnë autorizimin e lëvizjes, leje që ai nuk e disponon edhe pse aplikon çdo ditë. Me të ardhurat nga puna ai mban familjen me 8 anëtarë dhe për këtë arsye nuk mund të lerë punën edhe në këtë situatë pandemie.

Lejet për lëvizjen e këmbësorëve

Prej 30 marsit, edhe këmbësorët që dalin për të bërë pazar, duhet të pajisen me leje të veçantë. Kjo leje, sipas njoftimit të kryeministrit Edi Rama bëhet në dy forma. E para është nëpërmjet një sms në numrin 55155 ku vendoset numri i kartës së identitetit dhe ora e lëvizjes.Ky aplikim duhet të bëhet një ditë përpara dhe përgjigjia vjen brenda 24 orësh.

Ndërsa forma e dytë është nëpërmjet e-albania dhe përgjigjia sipas videos shpjeguese, vjen menjëherë me sms dhe në adresën e emailit.

“Faktoje” i provoi të dyja format për të parë funksionin e tyre. Për aplikimin nëpërmjet telefonit, kemi dy raste të ndryshme.

Në njërin rast, leja është aprovuar brenda 12 orëve, ndersa në rastin e dytë, nuk kemi asnjë përgjigje.

Ne përovuam edhe aplikimin përmes e-albania. Më 29 mars aplikimi është dërguar me sukses, por nuk ka ardhur aprovimi, as me sms në numrin e telefonit, as nëpërmjet emailit. Ndryshe nga çfarë ‘premtohet’ në videon informuese.

Një nga problemet e tjera kryesore me e-albania është mosfunksionimi i faqes. Po të dielën e 29 marsit kemi tentuar disa herë të futemi në faqen www.ealbania.al për të aplikuar për leje, por nuk ia dolëm.

Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i e-albania Daniel Shima, në një intervistë tha se së fundmi në faqen www.ealbania.al janë bërë 54 mijë aplikime, kryesisht për fashën orare 10.00-11.00. Sipas tij rreth 70% e aplikimeve kanë marrë miratim për lëvizje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img