Pretendimi: Ish-sekretari amerikan Blinken po hetohet për anulimin e zgjedhjeve në Rumani
Verdikti: E paprovuar
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se ish-sekretari amerikan, Antony Blinken po hetohet nga ShBA për ndërhyrje në anulimin e zgjedhjeve në Rumani.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Për këtë informacion, përdoruesit e rrjeteve sociale i referohen një publikimi nga një faqe e quajtur “Daily Romania”. Në lidhje me këtë informacion të shpërndarë, ne fillmisht bëmë një kërkim në mediat ndërkombëtare, por nuk gjetëm asnjë të dhënë mbi pretendimet se kishte nisur një hetim ndaj Blinken.
Faqja që e ka shpërndarë këtë informacion në rrjetin X nuk është gjë tjetër veçse një profil nacionalist rumun. Në profilin e saj në X, shihet se “Daily Romania” ka më shumë se 111 mijë ndjekës.
Në të njëjtën linjë fajësimi të ndërhyrjes së huaj, janë ndarë ditët e fundit postime se garimi i kandidatit të ekstremit të djathtë Calin Georgescu u ndalua nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, ishte autoriteti qendror zgjedhor i Rumanisë që, më 9 mars 2025, mori vendimin për të ndaluar rikandidimin e Georgescu në zgjedhjet e majit. Autoriteti, i cili përfshin, pesë gjyqtarë dhe përfaqësues të grupeve politike në parlamentin e Rumanisë, votoi 10-4 në favor të ndalimit.
Dokumentet e deklasifikuara nga Këshilli i Sigurisë i Romanisë më 4 dhjetor tregojnë se vendi ishte objekt i një “veprimi agresiv hibrid rus” gjatë fushatave të fundit zgjedhore, përfshirë fitoren befasuese të një kandidati të ekstremit të djathtë pro-rus.
Këshilli Suprem i Mbrojtjes Kombëtare deklasifikoi dokumentet, duke thënë se ato tregonin se Rumania ishte objekt i veprimeve të ndryshme të koordinuara në periudhën para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor, të fituara nga Calin Georgescu.
Ishte raportuar më parë se TikTok-u u përdor për të gjeneruar mbështetje për Georgescun dhe për ta lidhur atë me një audiencë rumune prej miliona njerëzish. Por dokumentet e deklasifikuara tregojnë se shërbimi i inteligjencës së Romanisë beson se Georgescu u promovua masivisht në TikTok me mbështetje nga Rusia përmes disa metodash, duke përfshirë llogari të koordinuara, algoritme për të rritur praninë e tij në platformë dhe promovim të paguar.