.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookIsh-presidenti Trump nuk deklaroi se sulmi I 11 shtatorit ishte vepër e SHBA

Ish-presidenti Trump nuk deklaroi se sulmi I 11 shtatorit ishte vepër e SHBA

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka deklaruar se sulmet e 11 shtatorit nuk janë kryer nga terroristët, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me një shtrembërim në përkthim, duke manipuluar audiencën.

Fushata paraprake zgjedhore në ShBA mes kandidatëve republikanë ka risjellë në qendër të vëmendjes ish-presidentin Donald Trump. Disa postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se Trump ka deklaruar se sulmi i 11 shtatorit ishte vepër e SHBA-së.

Sulmi i 11 shtatorit ishte vepër e Shteteve të Bashkuara – Trump. Donald Trump tha: ‘Më mbajtën gojën mbyllur për 4 vjet, por tani e them gjithmonë, nuk ka pasur asnjë sulm në WTC (kullat binjake), nuk ka pasur asnjë sulm siç na kanë treguar dhe nuk ka pasur prova që vende të tjera janë përfshirë…”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimi shoqërohet me një video të fjalimit të Trump me mbështetësit e tij në shtetin e New Hampshire.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, fillimisht duke dëgjuar se çfarë thotë vërtetë Trump në këtë video.

Ndryshe nga çfarë shkruhet në postimet në rrjetet sociale, ish-presidenti nuk ka deklaruar se nuk ka pasur sulme ndaj Kullave Binjake. Nga video duket qartë qe kemi të bëjmë me një manipulim në përkthim, që në këtë rast duket të jetë bërë me qëllim për të mashtruar audiencën.

“Dhe kurrë nuk kam folur për këtë gjatë katër viteve të mia, por shikoni se çfarë ndodhi: ne nuk patëm asnjë sulm në Shtetet e Bashkuara për katër vjet. Nuk patëm një World Trade Center, nuk kemi pasur sulmet që ju keni parë në vende të tjera”- tha Trump gjatë një fjalimi të fushatës, të mbajtur në New Hampshire.

Pra, duket qartë që kemi të bëjmë me një përkthim të shtrembëruar, pasi Trump nuk ka deklaruar kurrë se nuk ka pasur sulme terroriste ndaj Kullave Binjake më 11 shtator 2001.

Mirëpo, edhe ky pretendim i Donald Trump se nuk ka pasur sulme gjatë presidencës së tij është i rremë. Kjo është verifikuar nga kolegët e CNN, të cilët kanë renditur të gjitha sumet terroriste që ndodhën gjatë presidencës së tij.

“Departamenti i Drejtësisë i vetë Trump pretendoi se një vrasje masive ndodhi në qytetin e Nju Jorkut në vitin 2017, ku mbetën të vdekur 8 persona dhe u plagosën disa të tjerë, Ky ishte një sulm terrorist i kryer në mbështetje të ISIS.

Trump u ankua vazhdimisht për këtë sulm gjatë presidencës së tij. Departamenti i Drejtësisë i Trump pretendoi gjithashtu për një sulm të vitit 2019 nga një pjesëtar ekstremist i ushtrisë së Arabisë Saudite, i cili vrau tre ushtarakë amerikanë dhe plagosi të tjerë në një bazë ushtarake në Florida”, raporton ndër të tjera CNN.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img